Sport

Gauff, për herë të parë në finale të një “Grand-Slami”

Descriptive Text

Tinejxherja amerikane, Coco Gauff, ka shkuar në finalen e parë të një “Grand-Slami”, pas fitores në gjysmëfinalen e turneut “French Open”.

Ajo në finale do të takohet me numrin një të botës së tenisit në konkurrencën e femrave, Iga Swiatek.

18-vjeçarja Gauff fitoi 6:3 dhe 6:1 kundër tenistes italiane, Martina Trevisan, në Paris. Për italianen ishte gjysmëfinalja e parë në një garë të madhe.

21-vjeçarja Swiatek, nga ana tjetër, e shtroi rrugën për në finale pas fitores së lehtë 6:2 dhe 6:1 përballë bartëses së 20-të të turneut, Daria Kasatkina.

Polakja e shënoi fitoren e 34-t rresht dhe kaloi në finalen e dytë të një turneu madhor.

Swiatek, që është kampione e “Roland Garrosit” në vitin 2020, e ka humbur vetëm një set në turneun e tenisit në rërë në Paris sivjet.

Ndërkohë, Gauff që është bartëse e 18-të e turneut, u bë finalistja më e re në “Roland Garros”, që prej Kim Clijsters në vitin 2001.