Sport

Milani shitet edhe zyrtarisht

AC Milan është bërë me pronar të rinj. Klubi italian ka njoftuar të mërkurën se është arritur marrëveshja që RedBird Capital Partners të jenë pronarët e rinj të klubit për një shumë prej 1.2 miliardë eurove.

Kalimi i pronësisë së plotë do të përfundojë jo më vonë se shtatori i këtij viti, sipas njoftimit të klubit.

Pronarët e deritanishëm, grupi Elliott, do të mbajnë interes financiar të pakicës në klub dhe do të kenë vende në bordin e drejtorëve.

RedBird nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu ka aksione në Fenway Sports Group, i cili zotëron Liverpoolin, Boston Red Sox, Pittsburgh Penguins dhe Tolouse FC.