Sport

Xhudo beson se do t’i sjellë medalje Kosovës edhe nga “Gyor 2017”

Xhudoja vazhdon të jetë shpresa më e madhe e Kosovës për të fituar medalje në çdo garë të madhe.

Edhe në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, xhudistët kosovarë në bazë të potencialit dhe formës së treguar në garat paraprake, pritet t’i sjellin vendit medalje.

EYOF-i mbahet në Hungari prej 23-29 korrik, kurse Kosova përfaqësohet me 14 sportistë. Katër prej tyre vijnë nga sporti më i suksesshëm në Kosovë.

Trajneri i xhudos, Fatos Tabaku, beson se ndonjëri nga garuesit e tyre do të ngjitet në podium, transmeton Koha.net.

Laura Fazliu, Arbër Kullashi, Selim Berisha dhe Shpati Zekaj, janë sportistët nga xhudoja që garojnë në “Gyor 2017”.

“Jemi të gatshëm dhe të përgatitur maksimalisht, andaj presim nga të gjithë xhudistët që do ta japin së pari maksimumin nga ana e tyre dhe medaljet besoj dhe shpresoj shumë që nuk do të mungojnë”, thotë Tabaku për uebfaqen e KOK-ut, “noc-kosovo.org”.

Laura Fazliu dhe Shpat Zeka në fillim të këtij muaji u stolisën me medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të kadetëve, të mbajtur në Kaunas të Lituanisë. Kjo tregon se ata janë favoritë për medalje edhe në Gyor.

“Potencialisht, në bazë të formës momentale, dhe asaj që kanë treguar gjatë këtij viti, si në Kupën Evropiane në Zagreb, si në Kampionatin Ballkanik në Turqi dhe së fundi Kampionatin Evropian në Lituani, ku në të gjitha këto kompeticione morën medalje, gjasat më të mëdha i kanë pikërisht Shpati dhe Laura, por në formë të mirë dhe pa gjasa nuk janë as Arbri e Selimi”, shtoi trajneri Tabaku.

Ekspedita e Kosovës niset të premten për në Hungari.