Sport

Ilir Daja: Titulli kampion i dedikohet tifozëve të Suharekës

Descriptive Text

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ua ka dedikuar tifozëve dhe qytetarëve të Suharekës titullin kampion të Superligës së Kosovës në futboll.

Trajneri Daja ka falënderuar lojtarët për angazhimin këtë edicion, duke ua dhënë meritat atyre pas suksesit historik.

“Do të them që përderisa ka 75 vjet që është themeluar ky klub, ka një identitet, kanë punuar shumë breza për ta mbajtur këtë klub deri në ditët e sotme që gjithë bashkë të festojmë për këtë arritje historike, titullin kampion të Kosovës. Një element kryesor është se futbolli luhet për tifozët, për ata që e mbështesin, që janë gjithë qytetarët e Suharekës”, ka thënë Daja pas ndeshjes me Gjilanin. Ballkani fitoi 2:0 për ta festuar më pas titullin e kampionit.

“Kënaqësia më e madhe është që një rrugëtim të tillë arritëm ta mbyllim me fitore ndaj Gjilanit. Kjo fitore është për gjithë qytetin, çdo tifoz të Suharekës dhe në veçanti tifozët ‘Xhebrailat’”.

Daja mori drejtimin e Ballkanit në fillim të stinorit pranveror.

“Gjeta grup cilësor dhe lojtarë të mirë që ishin të përkushtuar e që na e bënë të lehtë neve si staf. Kemi instaluar lojën që kemi dashur, jemi përgjigjur me ndërrimet dhe me dinamiken dhe cilësitë individuale të lojtarëve kundërshtarë. E gjitha kjo ka bërë që të jemi më të qetë në aspektin e motivimit dhe të merremi me pjesën tjetër të ekipit dhe punës për të arritur këtë sukses”, ka theksuar Daja.

Ai shpreson të mbetet më gjatë te Ballkani.

“Shpresoj që të rri më gjatë. Por ato që do të na mbajnë më gjatë janë projektet në letër dhe puna që do të bëjmë në vazhdimësi”, ka theksuar Daja, që vlerësohet lartë për punën e bërë te skuadra nga Suhareka.