Derisa bota e futbollit po përgatitet të shkojë në Katar pas gjashtë muajsh, ky Botëror do të mbyllë epokën në të cilën Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë qenë dy lojtarët më të shquar të sportit.
Me kalimin e kohës dukej sikur turneu i vitit 2018 në Rusi shënoi një pikë kthese pasi një adoleshent Kylian Mbappe u bë një superyll global duke ndihmuar Francën të bëhej kampione e botës.
Mbappe duke e ngushëlluar Messin pasi luajti teksa Franca mundi Argjentinën në 1/8 e finales ishte një imazh ikonik i atij Botërori. Tani, Mbappe dhe Messi janë bashkëlojtarë te Paris Saint-Germaini.
Ende vetëm 23 vjeç, e ardhmja me siguri i takon Mbappes, i cili e ka eklipsuar argjentinasin në klubin e tij këtë sezon dhe ka bërë që tifozët e PSG-së, Real Madridit dhe futbollit në mbarë botën të presin njoftimin se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, edhe nëse tani janë në rënie, Messi dhe Ronaldo do të shkojnë në Katar me shpresën për të shfrytëzuar me siguri shansin e tyre të fundit për të ngritur një Kupë Bote, trofe që nuk e ka fituar asnjëri.
Këta janë lojtarët që kanë fituar mes tyre 12 nga 13 edicionet e fundit të “Topit të Artë” – Messi e fitoi të shtatin vitin e kaluar. Të dy kanë fituar një titull kontinental me përfaqësueset e tyre, por asnjëri nuk e ka ndezur një Kupë Bote ashtu siç do të kishin shpresuar.
Ky do të jetë Botërori i pestë për Messin. Ai ishte 18 vjeç kur shënoi në debutimin e tij në turne në vitin 2006. Ai frymëzoi Argjentinën deri në finalen e vitit 2014, të cilën e humbën ndaj Gjermanisë. Megjithatë, në mënyrë të pabesueshme, ai kurrë nuk ka shënuar në një ndeshje të fazës së nokautit të Kupës së Botës.
Të gjashtë golat e tij kanë ardhur në fazën e grupeve. Ai do të jetë 35 vjeç në kohën kur Argjentina do të luajë kundër Arabisë Saudite në ndeshjen e saj hapëse të botërorit “Katari 2022” më 22 nëntor.
“Do të më duhet të rivlerësoj shumë gjëra pas Kupës së Botës, pavarësisht nëse na shkon mirë apo jo”, pranoi Messi në mars. “Shpresoj që të shkojë mirë, por shumë gjëra patjetër do të ndryshojnë”.
Ronaldo ka luajtur gjithashtu në katër Kupa Botërore dhe vitin e kaluar theu rekordin ndërkombëtar për gola të shënuar të mbajtur nga iraniani Ali Daei, por ai asnjëherë nuk ka shënuar një gol në raundet e eliminimit. Kapiteni i Portugalisë do të jetë gati 38 vjeç në fund të këtij viti, megjithatë ai mbetet në formë fizike mbresëlënëse dhe ende ka shënuar 24 gola për Manchester Unitedin këtë sezon.
“Unë do të jem ai që do të vendos, askush tjetër”, insistoi ai në mars, kur u pyet nëse ky mund të ishte Botërori i tij i fundit.
Dietat e përmirësuara dhe përparimet në shkencën sportive nënkuptojnë se më shumë lojtarë tani po zgjasin karrierën e tyre përreth të 30-ve. Karim Benzema, i cili mbush 35 vjeç një ditë pas finales në stadiumin “Lusail Iconic”, po luan futbollin më të mirë të karrierës së tij për Real Madridin, është golashënuesi më i mirë në La Liga, dhe ndoshta favoriti për të pasuar Messin si fitues i “Topit të Artë”.
Deri më tani, Benzema ka luajtur vetëm në një Botëror në vitin 2014, përpara se të dëbohej nga Franca për pesë vjet për përfshirjen e tij në një aferë shantazhi.
“Po vjen një Kupë Botërore dhe unë duhet të përpiqem të bëj diçka të madhe. Do të shohim më pas nëse do të hyj në histori”, tha Benzema për “L'Equipe” së fundmi.
Lojtari më i mirë në Botërorin e kaluar, Luka Modriq ka vazhduar të magjepsë me paraqitjet e tij këtë edicion përkrah Benzemas për Real Madridin. Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2018 do të jetë, megjithatë, 37 vjeç në Katar.
Një përsëritje e përpjekjeve të tij heroike fizike katër vjet më parë - kur ai e dërgoi Kroacinë deri në finale - është shumë e pamundur. Robert Lewandowski mund të jetë golashënuesi më i madh në futbollin evropian në vitet e fundit, por ai ka luajtur vetëm tri ndeshje në Kupën e Botës për Poloninë dhe nuk ka shënuar kurrë.
Së shpejti mbush 34 vjeç, dhe ky është sërish shansi i tij i fundit në këtë turne dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për veteranët uruguaianë Luis Suarez dhe Edinson Cavani. Edhe Neymar, ende relativisht i ri në moshën 30-vjeçare, ka thënë se mund të mos luajë më në një Kupë Botërore.
“Do ta luaj sikur të ishte i fundit, sepse nuk e di nëse do të kem ende forcën mendore për të duruar edhe më shumë futboll”, tha braziliani vitin e kaluar.
Megjithatë, Katari mund të shohë një nga yjet e reja në zhvillim të futbollit të lërë gjurmën e tij, si Mbappe katër vjet më parë. Dështimi i Norvegjisë për t'u kualifikuar do të thotë se nuk ka Erling Haaland, por Pedri i Spanjës, Dushan Vlahoviqi i Serbisë dhe Vinicius Junior i Brazilit janë ndër brezat e rinj të superyjeve. Kështu që ka gjasa që këta mund të shkëlqejnë më shumë se djemtë e vjetër.
-
20 maj 2022 16:16
-
Shpërndaje në: