Sport

Suksesi i hendbollistes braziliane në shtetin për të cilin nuk dinte asgjë

Tainara Luna Gonçalves ka karrierë të gjatë e të suksesshme. Hendbollistja 34-vjeçare nga Brazili ka luajtur në Norvegji, Spanjë e disa vende të tjera, ndërsa aktualisht është pjesë e Istogut. Është pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës që ka fituar dy trofetë e hendbollit kosovar.

Luna Gonçalves ka shkëlqyer në finale të Kupës, në të cilën Istogu e mposhti KHF Ferizajn, të dielën. Ajo është shquar me organizim të lojës, por edhe me shënimin e golave. Trajneri Faruk Shala e ka vlerësuar lart paraqitjen e brazilianes me përvojë.

Tainara Luna Gonçalves erdhi pa bujë te Istogu, muaj më parë. Istogu rreshtoi fitoret dhe fitoi fillimisht titullin e kampionit, më pas edhe Kupën e Kosovës. Skuadra nga qyteti i vogël tashmë është bërë e madhe për hendbollin kosovar. Edicionin e ka mbyllur me të gjitha ndeshjet e fituara. Në fazën finale të garave kontribut ka dhënë edhe brazilianja me përvojë. Në fakt pjesë e Istogut është edhe brazilianja tjetër, Dayane Rocha. Edhe ajo ka shfaqur nivel të lartë. Te Istogu shumë bazohen edhe në lojtaret nga Mali i Zi, ndërsa klubi e ka të zhvilluar shkollën e hendbollit ku po dalin lojtare të reja.

“Jam shumë e lumtur për suksesin me Istogun. Kemi ardhur për këto qëllime dhe ia dolëm të arrinim”, ka thënë Luna Gonçalves për KOHËN, të mërkurën.

Gonçalves e Rocha nuk janë brazilianet e vetme në sportin kosovar. Te Ferizaj luajtën tri hendbolliste nga Brazili. Një brazilian ishte te KH Kastrioti, ndërsa sportistë nga vendi i njohur për futbollin ka edhe në sporte të tjera në Kosovë, si në volejboll e në futboll.

Luna Gonçalves ka treguar se si erdhi tek ideja që të luajë në Kosovë.

“Shoqja ime ishte tashmë këtu. Ajo më thirri, më shpjegoi që Istogu ka shumë lëndime dhe që skuadrës i duhej një lojtare. Kështu që më pyetën nëse është e mundur që të vija. Unë e pranova sfidën”, ka theksuar Luna Gonçalves. Ajo thotë se Istogu ka dominuar plotësisht falë lojës së fortë në mbrojtje, por edhe për shkak të durimit dhe punës e shpirtit ekipor në sulm.

Luna Gonçalves në biografinë e pasur tani ka shtuar edhe dy trofe nga Kosova. Por, nuk dinte asgjë për Kosovën para se të merrte ofertën nga Istogu.

“Nuk kam pasur fare informata për Kosovën. Më është dashur të shikoja në ‘Google’. Është disi e turpshme për të mos qenë e informuar për disa vende, sidomos me aq shumë histori”, thotë brazilianja me përvojë.

Ajo është befasuar me qytetin e Istogut. Thotë se njerëzit i kanë pranuar shumë mirë dhe kanë qenë miqësorë ndaj lojtareve. Në të vërtetë KHF Istogu ka shumë përkrahje në qytetin e Istogut. Në ndeshjet e fundit palestra është mbushur me shikues.

Luna Gonçalves ka treguar se shumë braziliane luajnë në vende evropiane.

“Kur në Brazil arrihet një nivel i caktuar, lojtarët shkojnë për të luajtur në Evropë. Pas pandemisë lojtarët janë larguar më shumë se asnjëherë më parë. Kështu që niveli i hendbollit ka rënë pak në krahasim me vitet para pandemisë. Niveli megjithatë po rritet sërish”, ka treguar Luna Gonçalves.

Ajo ka luajtur për Brazilin në të kaluarën. Në Brazil ka fituar tituj me klubin Metodista. Ka luajtur në Norvegji, Spanjë e në vende të tjera. Tani është në Istog dhe me shumë gjasë do të mbetet te kjo skuadër edhe për edicionin e ardhshëm.