Sport

Mbushen palestrat, kthehet dhuna në basketbollin kosovar

Descriptive Text

Palestrat po stërmbushen sërish me shikues për ndeshje të basketbollit kosovar. Pasi palestra “Minatori” u stërmbush dy herë për ndeshjet e Trepçës me Pejën, njëjtë ishte të dielën mbrëma edhe në “Karagaçi” në Pejë. Kjo arenë u mbush me shikues, por në fund basketbolli mbeti në plan të dytë.

Ndeshjen e tretë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll e karakterizoi dhuna e shfaqur dhe ndërprerjet. Në fund Peja fitoi me shifrat 72:66 dhe kështu ngushtoi rezultatin në 2:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Edhe ndeshja e katërt luhet në Pejë. Trepçës i duhet edhe një fitore për të kaluar në finale. Në rast se Peja shënon fitore, atëherë ndeshja e pestë sërish do të luhet në “Minatori” në Mitrovicë.

Në ndeshjen e kaluar, të luajtur në Mitrovicë, ndodhi edhe prishja e raporteve mes dy grupeve të tifozëve, që janë vlerësuar shumë të mira. Ka pasur sharje mes tifozëve, ndërsa është raportuar edhe për incidente pas ndeshjes.

Dhe kjo ka reflektuar në ndeshjen e së dielës në Pejë. Për në Pejë kanë udhëtuar edhe rreth 300 anëtarë të tifo-grupit “Torcida” që përkrah Trepçën. Ndërkohë rreth 2500 shikues pejanë ishin në palestër po ashtu.

Sharjet e fyerjet kanë nisur ende pa hyrë tifozët mysafirë në palestër. Ata kanë hyrë vetëm gjatë çerekut të dytë. Ka pasur përpjekje për konfrontim me të hyrë tifozët mysafirë në palestër, por ka intervenuar policia.

Fyerje e sharje janë shkëmbyer në vazhdim, ndërsa në fund ndodhi një incident më i rëndë. 30 sekonda para fundit, një tifoz vendës hyri në parket duke kaluar në anën tjetër të fushës. Gjatë kthimit, ai preku në kokë lojtarin e Trepçës, Rodney Purvis. Mitrovicasit më pas refuzuan të vazhdojnë lojën, duke shkuar në zhveshtore. Ndërkohë nisi një incident më i madh në tribuna. Tifozët e të dy skuadrave hodhën mjete ndezëse në anën tjetër. Të tilla u hodhën edhe në parket. Madje kishte hedhje edhe të karrigeve.

Policia intervenoi duke larguar tifozët mysafirë nga palestra, ndërkohë që “Karagaçi” u mbush me tym nga mjetet e zjarrta. Më pas u vendos që të zbrazej e gjithë palestra, kurse vetëm pas afro një ore loja vazhdoi. U zhvilluan edhe 30 sekondat e mbetura, gjatë të cilave Arian Qallaku i Pejës realizoi për tri pikë.

Peja fitoi me shifrat 72:66 duke siguruar të paktën edhe një ndeshje.

Peja e nisi më mirë ndeshjen dhe çerekun e parë e fitoi 23:12. Çerekun e dytë e fituan mysafirët, 22:10. Çereku i tretë ishte thuajse i barabartë. Përfundoi 23:23 në të mirë të Trepçës. Çereku i katërt, që mbeti në hije të incidenteve, i takoi Pejës me shifrat 17:9.

Calvin Godfray ishte më i dalluari te Peja me 15 pikë e 15 kërcime. Fundori Darius Washington realizoi 19 pikë e pesë asistime. Dardan Berisha shtoi 15 pikë.

Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 15 pikë e gjashtë kërcime. Purvis i shënoi po ashtu 15 pikë, ndërsa Amin Hot kishte 10 pikë, por edhe shtatë topa të humbur.

Drejtori sportiv i Trepçës, Izet Tahiri, ka dhënë detaje për tërheqjen e skuadrës mitrovicase nga parketi. Ai ka thënë se ky veprim nuk është kundër Pejës, por ishin të shtyrë për shkak të sulmit ndaj lojtarit Rodney Purvis.

“Në emër të klubit them që nuk kemi asgjë kundër Pejës. Kërkojmë falje prej Bordit të Pejës për tërheqje. U tërhoqëm pasi për herë të dytë rresht u sulmua lojtari ynë Purvis. Ai është sulmuar për herë të dytë nga i njëjti person, shikues apo zyrtar i Pejës, nuk e di”, ka thënë Tahiri.

“U kthyem në ndeshje vetëm për shkak të basketbollit. Pasi FBK dhe të gjitha ekipet janë duke e bërë maksimumin. Ne nuk mund ta ndalim zhvillimin e basketbollit për dy-tre persona. Tani e bëjmë ankesën zyrtare. Me klubin Peja ne i kemi raportet shumë të mira, se çka bëjnë tifozët u takon atyre”, ka shtuar zyrtari i klubit mitrovicas.

Për incidentet ka folur edhe drejtori sportiv i Pejës, Arbër Elshani.

“Assesi nuk pajtohemi që tifozi të sillet në këtë mënyrë. Njëjtë ka qenë sjellja edhe në Mitrovicë. Fells u kap për fanelle, por nuk u tërhoqëm. Na nuk u larguam, ata u larguan. Palestra ‘Karagaçi’ u demolua, iu dha hijeshi e keqe gjysmëfinales. Është turp”, ka thënë Elshani. Ai pret dënime ndaj Pejës, por edhe ndaj Trepçës. “Sigurt klubi do të dënohet. U bëj thirrje tifozëve të ruajnë koncentrimin. Nuk ka pasur arsye të ndodhë kjo. Ndeshjet e ardhshme në Pejë apo Mitrovicë do të luhen pa shikues. Ndiej keqardhje për atë që i ndodhi lojtarit Purvis. Nuk pranohet që lojtari të preket”, ka shtuar Elshani.