Sport

Osimhen konfirmon qëndrimin te Napoli

Nigeriani Victor Osimhen do t’i prijë sulmit të Napolit edhe sezonin e ardhshëm. Sulmuesi 23-vjeçar ka konfirmuar se nuk do të largohet nga Napoli këtë verë, pavarësisht ofertave të shumta që ka marrë nga klubet e tjera të Evropës.

Në një intervistë për “Radio Kiss Kiss”, Osimhen ka thënë të enjten se ndihet shumë mirë te Napoli, ekip të cilin dëshiron ta ndihmojë për ta fituar titullin e kampionit të Italisë sezonin tjetër.

“Fillimisht, dua ta mbylli këtë edicion në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’u premtoj tifozëve se sezonin e ardhshëm do të luftojmë për trofe. Unë do të mbetem te Napoli edhe sezonin e ri, pasi ndihem mirë këtu”, është shprehur Osimhen.

Këtë edicion, Osimhen ka shënuar 17 gola në të gjitha garat për Napolin, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.