Sport

Dështon sërish të nisë rigjykimi ndaj kreut të FFK-së

Descriptive Text

Për të dytën herë me radhë në Departamentin e Përgjithshëm ka dështuar të nisë rigjykimi ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit, ka raportuar të enjten “Betimi për Drejtësi”.

Kreu i FFK-së bashkë me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMË X5”.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e prokurorit dhe të dëmtuarit Dritëro Kadolli. Lidhur me mungesën e prokurorit gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, deklaroi se për të njëjtin gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt ndërsa për këtë do ta njoftoj kryeprokurorin.

Kurse, për mungesën e të dëmtuarit Kadolli, gjykatësi Sadikaj tha se sipas fletë kthesës së kthyer në gjykatë, rezulton se i njëjti gjendet në Londër deri më 15 maj të këtij viti, e cila informatë sipas kësaj fletëkthese thuhet se është bërë pas komunikimit me telefon.

Edhe seanca e caktuar më 7 tetor 2021, kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të dëmtuarit Kadolli.

Ka më shumë se një vit nga vendimi i Supremes kur kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, por deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë e rigjykimit ndaj Ademit dhe Ramës. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 7 shtator të këtij viti. /BetimiPërDrejtësi