Sport

Juventusi përballet me Interin për trofeun e parë të këtij edicioni

Descriptive Text

Për Interin, finalja e Kupës së Italisë që luhet të mërkurën mbrëma mund të jetë edhe “finalja” e para në tentim për të fituar të dy trofetë.

Interi luan me Juventusin në “Stadio Olimpico” në Romë (21:00). Më pas ka dy ndeshje në kuadër të Serie A, ku është në një luftë intriguese për titull me rivalin e qytetit, Milanin.

Kampioni në fuqi, Interi, është dy pikë prapa Milanit, që favorizohet edhe nga rezultati i ndërsjellë në ligë. Nëse skuadrat përfundojnë me pikë të barabarta, atëherë Milani do të shpallet kampion në Itali.

Atmosfera ishte në nivel në kampin e Interit kur e mposhti 3:0 Milanin muajin e kaluar për të arritur në finalen e Kupës. Interi ishte prapa në ligë, por kishte një ndeshje më pak të luajtur dhe për muaj të tërë e kishte vënë në dukje ndeshjen e shtyrë në Bologna si një shans për të fituar terren në garën për titull. E humbi atë ndeshje 2:1.

Nervat janë ngritur që atëherë dhe kjo mund të shihej qartë në 25 minutat e para të ndeshjes së Interit kundër Empolit javën e shkuar. Trajneri Simone Inzaghi tha se lojtarët e tij po ndienin presionin pasi pranuan dy gola përpara se të fitonin me rezultatin 4:2. Me këtë në mendje, drejtori i përgjithshëm i Interit, Giuseppe Marotta, ka kërkuar nga ekipi që të fokusohet vetëm në finalen e së mërkurës.

“Është normale që ata po mendojnë edhe për titullin. Këtë javë ne po luajmë për dy synime të rëndësishme që përfaqësojnë mbi të gjitha një sezon kushtuar sakrificës nga i gjithë klubi”, tha ai. “Ne duam të marrim diçka, por është gjithashtu e rëndësishme të dimë se të mërkurën mund të arrijmë synimin tonë të parë, kështu që jemi të përqendruar në këtë. Nga e enjtja e tutje ne do të shohim se çfarë mund të bëjmë në garën për titull”.

Për Juventusin, finalja e Kupës së Italisë është ndoshta edhe më e rëndësishme. Trajneri Massimiliano Allegri u rikthye në klub vitin e kaluar pas një sezoni të dështuar nën drejtimin e Andrea Pirlos që pa serinë prej nëntë titujve rresht në Serie A të marrin fund nga Interi.

Juventusi është fitues në fuqi i Kupës së Italisë. Juventusi duket sërish i vendosur të përfundojë i katërti në Serie A –me numër më të vogël pikësh se sezonin e kaluar – ndërkohë që u eliminua sërish nga Liga e Kampionëve në 1/8 e finales. Skuadra humbi gjithashtu ndaj Interit në Superkupën e Italisë.

Juventusi do të mund të marrë zemër nga bilanci pozitiv në Kupën e Italisë. E ka fituar 20 herë këtë trofe, përfshirë pesë herë në shtatë vitet e fundit. Allegri do të bëhej trajneri më i suksesshëm në historinë e kësaj gare nëse Juventusi e mposht Interin. Ai ka katër trofe të fituar deri më tani, sa i kanë edhe Sven-Goran Erikssoni e Roberto Mancini.

“Ne tashmë e kemi arritur synimin minimal, kualifikimin në Champions. Mirëpo duam ta fitojmë edhe Kupën e Italisë, në mënyrë që ta mbyllim sezonin me një trofe të fituar. Nuk do të jetë lehtë, por kam besim në ekipin tim”, është shprehur Allegri.

Të dy skuadrat do të mbështeten te sulmuesit në këtë finale. Lautaro Martinez i Interit kishte një krizë në fillim të këtij viti, por tani ka shënuar 11 gola në 11 ndeshjet e fundit për ta çuar numrin në 23 gola të shënuar këtë sezon. Bashkëlojtari i Martinezit te Argjentina dhe potencialisht përforcimi i parë i Interit në afatin kalimtar të verës, do t’i prijë sulmit të Juventusit. Paulo Dybala pati një paraqitje mbresëlënëse në Genoa të premten e shkuar dhe shënoi golin e vetëm për Juventusin në humbjen me rezultatin 2:1. Dybala duket e sigurt se do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit pas shtatë vjetësh në klub, me Interin si destinacion të mundshëm. Ai te Interi pritet të transferohet si lojtar i lirë.