Sport

Januzaj nuk është pishman që u largua në moshë të re nga Anderlechti

Sulmuesi i krahut, Adnan Januzaj, ka insistuar se është shumë i kënaqur me karrierën e tij si profesionist dhe se nuk është aspak pishman që u largua në moshë shumë të re nga skuadra e Anderlechtit. Në një intervistë për “Sport Magazine” të Belgjikës, Januzaj ndihet krenar me karrierën e tij, ndonëse ka pasur vështirësi dhe kritika të shumta ndaj 27-vjeçarit.

Aktualisht, Januzaj është pjesë e skuadrës nga La Liga, Real Sociedad, dhe njëri prej lojtarëve kryesorë në këtë ekip. Krahas kampionatit spanjoll, Januzaj ka luajtur edhe në Premier League dhe Bundesligë.

Januzaj, në moshën 15-vjeçare, u pati larguar nga të rinjtë e Anderlechtit për t’u transferuar te Manchester Unitedi në mars të vitit 2013. Atëbotë, Januzaj konsiderohej si një talent i jashtëzakonshëm, por asnjëherë nuk arriti ta arsyetojë një gjë të tillë për shkak edhe të minutazhës së vogël që e pati te “Djajtë e Kuq”. Ai me ekipin e parë të Unitedit pati debutuar në sezonin 2013/14.

Në sezonin 2015/16, Januzaj u pati huazuar për një vit te Borussia Dortmundi për t’u kthyer në “Old Trafford” pas gjashtë muajsh përpara se të huazohet sërish te Sunderlandi, ku luajti deri në fund edicionit 2016/17. Ai u largua përfundimisht nga Unitedi në verën e vitit 2017 për t’u transferuar te Sociedadi për 8.5 milionë euro. Januzaj, në total ka zhvilluar 50 ndeshje për Manchester Unitedin dhe ka realizuar pesë gola. Madje, Januzaj ka pranuar se habitet që njerëzit janë të bindur se ai nuk ka pasur një karrierë siç është pritur prej tij.

“Jo, nuk jam pishman për asnjë moment që u largova si i ri nga Anderlechti. Është e çuditshme që njerëzit në Belgjikë, priren të thonë se nuk kam pasur karrierë të pritur. Por, unë jam shumë i kënaqur me karrierën time në çdo aspekt”, ka insistuar Januzaj. “Unë jam 27 vjeç, luaj në La Liga dhe kam luajtur në Premier League e Bundesligë. Po ashtu, kam luajtur edhe në dy Kampionate Botërore dhe ende e shoh veten duke luajtur në një nivel shumë të lartë për të paktën edhe pesë apo gjashtë sezone të tjera. Kështu që, për çfarë arsye njerëzit nuk e shohin vetëm një herë anën e mirë?”.

Januzaj, i cili nuk ka folur për të ardhmen e tij, duke pasur parasysh se kontrata me Sociedadin i skadon këtë verë, ka thënë se nuk mund të krahasohet me asnjë futbollist tjetër, pasi sipas tij të gjithë e kanë fatin e tyre. Sipas tij, karriera e futbollistit është e mbushur me plot befasi dhe gjëra të paparashikuara mund të ndodhin përgjatë rrugës.

“Secili futbollist bën rrugën e tij dhe ndjek fatin e tij. Kështu që, kjo nuk mund të gjykohet dhe as të krahasohet me karrierën e ndonjë lojtari tjetër. Për më tepër, në karrierë duhet të përballesh me rastësi, lëndime, njerëz që takon”, është shprehur Januzaj. “Edhe unë jam sikurse lojtarët e tjerë dhe më pëlqen të adhurohem”.

Këtë edicion, Januzaj ka shënuar katër gola e ka bërë tri asistime në 41 paraqitje për Sociedadin në të gjitha garat. Javën e shkuar është raportuar se Januzaj ka arritur marrëveshje personale me krerët e ekipit spanjoll për ta rinovuar kontratën edhe për katër vjetët e ardhshëm. Megjithatë, ai nuk ka dashur të flasë për një gjë të tillë, pasi fokusin e ka ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Po ashtu, Januzaj është njëri prej kandidatëve për t’u ftuar te Përfaqësuesja e Belgjikës për Botërorin “Katari 2021” që nis në fund të muajit nëntor. Ai deri më tani i ka 14 paraqitje dhe një gol të shënuar për Belgjikën, me të cilën debutoi në qershor të vitit 2014.