Sport

Ballkani shkruan histori, fiton titullin e parë

kf ballkani, sport, futboll, superliga

“Historia u shkrua”. Kështu është titulli i shoqëruar me një fotografi të përbashkët nga futbollistët dhe krerë e klubit Ballkani në rrjetet sociale. Postimi i fotografisë me mbishkrimin “Historia u shkrua” në profilet e tyre u bë vetëm pas përfundimit të ndeshjes derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, e zhvilluar të mërkurën në Gjilan. Derbi u mbyll pa gola, rezultat që nxori Ballkanin kampion të Kosovës për herë të parë në histori të klubit.

Ballkani, aktualisht, është në vendin e parë me 70 pikë, 11 më shumë se Gjilani dhe 13 më shumë se Drita që mban vendin e tretë. Ballkani të enjten luan ndaj Malishevës, ndërsa deri në fund do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje. Dueli kundër Malishevës, që do të luhet në Suharekë, do të jetë festë për ekipin vendas. Pas ndeshjeve kampionale, Ballkani do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Kryetari i klubit, Arsim Kabashi, i është gëzuar titullit të kampionit. Ballkani është shpallur për herë të parë në histori të klubit kampion i Kosovës. Është themeluar para 75 vjetësh. Kabashi e ka quajtur të vështirë rrugëtimin deri te titulli i kampionit.

“Rrugëtimi deri në shpalljen kampion ishte i vështirë, duke na dhuruar shumë emocione të forta, ndonjëherë edhe zhgënjime të cilat janë pjesë përbërëse jo vetëm e futbollit, por edhe të jetës në përgjithësi. Tre vjetët e fundit kishin shumë ngjarje dhe dinamikë ku ne arrinim deri në finale të Kupës, por nuk e fitonim. Gjithashtu, kur arrinim deri te kreu i tabelës, ndërsa titulli na ikte nga duart. Megjithatë, të gjitha këto përpjekje e nganjëherë edhe zhgënjime asnjëherë nuk na kanë bërë që ne të dorëzohemi. Përkundrazi, ne ktheheshim edhe më të fortë dhe ja ku jemi tani duke përmbushur ëndrrat e shumë tifozëve tanë që nga themelimi i klubit në vitin e largët 1947”, ka shkruar ndër të tjera Kabashi në Facebook.

Për suksesin historik, Kabashi ka falënderuar gjithë kontribuuesit që nga themelimi e deri të mërkurën kur edhe klubi i udhëhequr nga ai festoi titullin. Ballkani vlerësohet një prej klubeve më të organizuara në vitet e fundit në Kosovë.

Që prej kthimit në Superligë në vitin 2018, Ballkani ka ndjekur trofetë. Në radhët e veta ka pasur ndër futbollistët më të mirë në vend, si dhe ka qenë i përforcuar rregullisht me lojtarë nga vende të ndryshme. Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, ka thënë se ka pasur besim se mundi i të gjithëve në klub do të shpërblehet.

“Prej ditës së parë që te Ballkani besova se ky klub dhe ky qytet meritojnë gjëra të mëdha. Pas momenteve të vështira që përjetuam sezonin e kaluar, këtë vit arritëm të gëzojmë të gjithë tifozët besnikë te Ballkanit. Faleminderit shumë presidentëve Arsim Kabashi dhe Bali Kabashi që na besuan që në momentin e parë, faleminderit tifozëve tanë që kanë qenë gjithmonë lojtari ynë i 12-të”, ka thënë Kuç për KOHËN.

Një ndër lojtarët që ka kontribuar në suksesin e Ballkanit është edhe Ermal Krasniqi. Ai ka pranuar se ky sukses është i veçantë për të.

“Jam shumë i kënaqur, pasi të bëhesh pjesë e historisë është një gëzim i madh. Jam i lumtur që gjithë njerëzit e qytetit të Suharekës i janë gëzuar këtij suksesi dhe për mua është një ndjenjë e veçantë. Unë jam pjesë e Ballkanit, por të ardhmes nuk i dihet asnjëherë. Por unë do ta jap maksimumin derisa do të jem pjesë e Ballkanit”, tha ai.

I kënaqur dhe lumtur me titullin e kampionit është edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi. Edhe për Thaqin është trofeu i parë me fanellën e Ballkanit.

“Për mua dhe klubin është një e arritur e madhe. Është titulli i parë dhe është një ndjenjë e veçantë. Për mua dhe klubin është historike dhe një ndjenjë e mirë. Ka qenë një rrugë e vështirë, me shumë dështime dhe sakrifica. Por tash na mbetet të mbyllim edh këto katër ndeshje. Kemi dhjetë ditë pushim dhe më pas fillojmë përgatitjet. Është hera e parë për Ballkanin që do ta përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare dhe na mbetet të përgatitemi maksimalisht për ta bërë krenar qytetin dhe Kosovën”, shtoi Thaqi për KOHËN.

Titullin e fituar, Ballkanit ia kanë uruar edhe klubet e tjera. Ballkani, në fakt, fitoi titullin falë barazimit pa gola në derbin e qytetit të Gjilanit. Gjilani dhe Drita janë ndarë baras, takim që u zhvillua të mërkurën në fushën me bari sintetik në Gjilan dhe i takoi xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës. Në këtë ndeshje më shumë nga loja pati skuadra e Dritës që qëlloi edhe shtyllën me Almir Kryeziun në minutën e 30-të të ndeshjes.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, i ka përgëzuar lojtarët e skuadrës që drejton për angazhimin që e patën në derbin ndaj Gjilanit.

“Bëmë paraqitje realisht të mirë. Në pjesën e parë krijuam shumë. Në ndeshje derbi nuk vijnë shumë raste, ndërsa ne nuk i shfrytëzuam ato që i patëm. Na mungoi qetësia para portës për ta mbyllur ndeshjen. Djemtë bënë gjithçka në këtë duel. Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët, sepse krijuam shumë. Deri në fund të Kampionatit do të bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Secilin lojtar do të mundohemi ta mbajmë në formë”, është shprehur Nuhiu.

Ndërkohë, për trajnerin e përkohshëm të Gjilanit, Alban Hyseni, objektivi i vetëm këtë sezon mbetet pozita e dytë në tabelë.

“Realisht e filluam ndeshjen shumë mirë. Por, prej minutës së 20-të i patëm disa momente të vështira, megjithatë e morëm veten. Në pjesën e dytë dolëm nga presioni. Mbetet të shihet në fund të sezonit, ta analizojmë se ku kemi gabuar në këtë edicion. Pozita e dytë do të ishte më e mira për këtë sezon”, ka thënë Hyseni pas ndeshjes.

Fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë kanë shënuar dy skuadrat, Dukagjini dhe Prishtina. Prishtina triumfoi në stadiumin “Fadil Vokrri” thellë ndaj Feronikelit me rezultatin 5:0, derisa Dukagjini fitoi me përmbysje ndaj Ulpianës 2:1.

Superliga – 33

E mërkurë

Gjilani – Drita 0:0

Dukagjini – Ulpiana 2:1

Prishtina – Feronikeli 5:0

E enjte (15:00)

Ballkani – Malisheva

Drenica – Llapi

1. Ballkani 32 21 7 4 54:20 70

2. Gjilani 33 15 14 4 50:28 59

3. Drita 33 16 9 8 50:25 57

4. Llapi 32 15 9 8 52:34 54

5. Prishtina 33 12 9 12 44:35 45

6. Dukagjini 33 11 12 10 34:32 45

7. Malisheva 32 11 7 14 38:38 40

8. Drenica 32 11 7 14 44:45 40

9. Ulpiana 33 5 9 19 28:62 24

10. Feronikeli 33 3 3 27 12:87 12