Sport

Liverpooli “tregon muskujt” për të mbetur në garë për katër trofetë

Descriptive Text

Pesëdhjetë e shtatë ndeshje në një sezon rraskapitës, Liverpooli mund të ishte shkatërruar kur epërsia prej 2:0 nga ndeshja e parë u shkri brenda 45 minutave nga një Villarreal i frymëzuar që luante për të arritur në finalen e parë të Ligës së Kampionëve. Në vend të kësaj, Liverpooli do të jetë në finalen e madhe të klubeve evropiane për herë të tretë në pesë sezone, pasi u kundërpërgjigj për ta fituar ndeshjen e së martës 3:2 dhe avancoi nga seria gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 5:2, ka shkruar AFP të mërkurën.

“Para ndeshjes u thashë djemve se do të doja të lexoja titujt se ‘përbindëshat e mentalitetit ishin në qytet’ dhe ata e morën mesazhin”, ka zbuluar trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.

Gjashtë ndeshje tani e ndajnë skuadrën e Kloppit nga një arritje e paarritur kurrë më parë në futbollin anglez - duke fituar të katër trofetë kryesorë që ofrohen në të njëjtin sezon. Kupa e Ligës është tashmë në kabinetin e trofeve pasi Liverpooli mundi Chelsean pas penalltive në finalen e muajit shkurt, ndërsa më 14 maj do të përballet sërish me ekipin nga Londra, por në finalen e Kupës FA. Shpresat e Liverpoolit për titullin e Premier Leagues varen ende nga Manchester City, i cili mban një pikë epërsi në krye të tabelës me katër ndeshje deri në fund të sezonit. Surpriza më e madhe ishte se këtë sezon pothuajse nuk ka pasur fare dyshim për kalimin e sigurt të Liverpoolit në finalen e Championsit, që do të luhet më 28 maj në Paris. Në 28 ndeshje në vitin 2022 para duelit të së martës në Spanjë, djemtë e Kloppit ishin në disavantazh për vetëm 53 minuta. Por për vetëm më pak se një orë, Liverpooli ishte në disavantazh prej dy golave në “Estadio de la Ceramica”, ku Villarreali tentoi të bëjë befasinë e radhës në Champions, falë golave që u shënuan në pjesën e parë nga Boulaye Dia dhe Francis Coquelin.

Megjithatë, Liverpooli u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë, duke shënuar tre gola brenda 12 minutave nëpërmjet Fabinhos, Luis Diazit e Sadio Manes. Tradita e pasur e Liverpoolit në Kupën Evropiane lindi në vitet 1970 dhe 1980, kur e fitoi katër herë trofeun për t’u konfirmuar si forcë dominuese në futbollin anglez. Liverpooli e fitoi përsëri Championsin nën drejtimin e trajnerit Rafael Benitez në vitin 2005 kundër Milanit pas penalltive duke e përmbysur disavantazhin 3:0. Ndërsa në vitin 2019 skuadra e Kloppit e mposhti në finale Tottenhamin për ta shtuar edhe një trofe në kabinetin e tij. E në rast se Liverpooli triumfon edhe në finalen e këtij edicioni, që do të mbahet më 28 maj në “Stade de Francë”, atëherë së bashku me Milanin do të bëhej ekipi i suksesshëm në historinë e Ligës së Kampionëve me shtatë tituj të fituar. Një pikë referimi e tillë dukej një ëndërr e pamundur kur Klopp mbërriti në “Anfield Road”, në vitin 2015. Liverpool kishte arritur në finalen e Championsit dy herë në tri dekada dhe nuk kishte fituar një titull kampioni të Anglisë që nga viti 1990. Por ish-trajneri i Borussia Dortmundit e ka transformuar një gjigant të fjetur në një ekip të madh modern të futbollit evropian.

“Ndihet sikur është finalja e parë për të qenë i sinqertë, sepse është gjithmonë e veçantë”, tha Klopp. “Për mua është gara më e mirë e klubeve në botë. Dhe, jam shumë i lumtur që jemi sërish në finale”.

Finalja e katërt e Kloppit në Ligën e Kampionëve barazon rekordin aktual për një trajner të vendosur nga Miguel Munoz, Marcelo Lippi, Alex Ferguson dhe Carlo Ancelotti.

Sigurisht që do të duhet një përpjekje e madhe për t'i mohuar Liverpoolit një kurorë të shtatë evropiane.