Sport

Gjilani – Drita, derbi që pa shikues nuk është i vërteti

Më shumë se një vit ka kaluar prej fitores së fundit të Dritës përballë Gjilanit. Fitoren e fundit në derbin lokal Drita e kishte arritur më 3 mars 2021 (2:0).

Dy prej katër ndeshjeve të luajtura prej atëherë i takuan Gjilanit. Një tjetër derbi, i njohur për atmosferën e zjarrtë, luhet të mërkurën (15:00). Por në rrethana jo të zakonshme.

Te Drita besojnë se motivi nuk do të mungojë te lojtarët për ta fituar derbin që do të luhet pa praninë e shikuesve dhe në një fushë me bari sintetik në Gjilan. Dyert do të jenë të mbyllura për shikues për shkak të dënimit që Gjilani ka marrë nga FFK-ja pas incidentit në ndeshjen ndaj Ballkanit.

Pas incidentit te Gjilani, u vendos të mos flasin për media deri në fund të sezonit aktual. Gjilani është në vendin e dytë me 58 pikë, derisa Drita një vend më poshtë me dy pikë më pak. Ballkani është lider me 70 pikë dhe të enjten në ndeshjen kundër Malishevës i duhet një pikë për t’u shpallur për herë të parë kampion i Kosovës.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, thotë se Gjilani ka ekip të mirë, por beson se futbollistët e tij do ta fitojnë derbin për t’i bërë krenarë “Intelektualët”.

“Na pret një skuadër me eksperiencë, ka futbollistë cilësorë dhe këtë vit vështirë është thyer apo ka humbur. Sot te skuadra ime kam parë motiv të veçantë për këtë ndeshje, sepse duam ta fitojmë dhe t’i bëjmë krenarë tifozët tanë ‘Intelektualët’, për të cilët e dimë sa ka vlerë kjo ndeshje. Duhet të bëjmë maksimumin dhe me të gjitha forcat që kemi dhe futbollistët që kemi në dispozicion duhet ta japim më të mirën dhe të dalim fitues”, ka thënë Nuhiu. Ai vlerëson se Drita ka qenë bindshëm më e mirë se Gjilani në përballje e fundit.

“Kemi mësuar nga ato ndeshje, mendoj se kemi qenë më lartë se kundërshtari, por në futboll jo gjithmonë fiton ai që luan më mirë. Kjo është sfidë në vete, ndeshje krejtësisht tjetër. Jam munduar të përgatis ekipin dhe besoj që secili që do të dalë në fushë do të bëjë maksimumin. Në këtë derbi pavarësisht kush i udhëheq klubet, interesimi do të jetë i njëjtë dhe do të ngelë bukuria e futbollit kosovar”, është shprehur Nuhiu. Atij i vjen keq që derbi luhet pa praninë e shikuesve.

“Është mëkat që ky derbi i rivalizuar të zhvillohet në një ambient të tillë pa tifozë. Do të ishte shumë e bukur të luanim me tifozë. Pavarësisht klasifikimit do të ishte një spektakël në tribuna dhe në fushë, sepse të dyja skuadrat kanë futbollistë shumë cilësorë. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe t’i bëjmë krenarë tifozët tanë”, ka thënë Nuhiu.

Gjilani dhe Drita e kanë të sigurt pjesëmarrjen në garat kualifikuese të Ligës së Konferencës. Për Dritën do të jetë hera e katërt, ndërsa Gjilani do të jetë për herën e dytë në garat ndërkombëtare.

Drita është edhe në finale të Kupës, ku më 26 maj luan ndaj Llapit.

“Jam krenar për punën që kemi bërë, gjithmonë në mbështetje të presidentëve dhe udhëheqësve të klubit. Gjithmonë e kam theksuar që më meritorët janë futbollistët, sepse ata janë aktorët kryesorë që shprehen në fushë. Për mua është e rëndësishme që skuadra të tregojë stabilitet dhe të ecë mirë. Kjo më intereson më tepër, përgatitemi dhe vazhdojmë punën tonë në mënyrë që të kemi sukses në vazhdimësi”, ka thënë Nuhiu.

Keqardhje që nuk do të ketë shikues ka shprehur edhe Arbnor Muja. Por ai thotë se festa do t’u takojë “Intelektualëve”.

“Vetëm fjala derbi për ne është motiv në këtë ndeshje. Kemi pasur mjaftueshëm kohë ta përgatisim ndeshjen dhe mendoj se jemi përgatitur aq mirë që nesër të dalim me rezultat pozitiv. Tifozët ‘Intelektualët’ janë motiv shtesë, ata janë fuqia jonë dhe lojtari ynë i 12-të. Mendoj që është një vendim pak i padrejtë në këtë rast dhe mungesë e madhe, por ky vendim nuk është në kompetencën tonë. Prandaj, shpresoj që nesër t’i gëzojmë me fitore edhe pa praninë e tyre në stadium”, ka thënë Muja.

Të mërkurën luhen edhe dy ndeshjet e tjera, ajo në mes të Prishtinës dhe Feronikelit, si dhe ndeshja Dukagjini – Ulpiana.

Superliga – Java 33

E mërkurë (15:00)

Gjilani – Drita

Dukagjini – Ulpiana

Prishtina – Feronikeli

E enjte (15:00)

Ballkani – Malisheva

Drenica - Llapi


1. Ballkani 32 21 7 4 54:20 70

2. Gjilani 32 15 13 4 50:28 58

3. Drita 32 16 8 8 50:25 56

4. Llapi 32 15 9 8 52:34 54

5. Prishtina 32 11 9 12 39:35 42

6. Dukagjini 32 10 12 10 32:31 42

7. Malisheva 32 11 7 14 38:38 40

8. Drenica 32 11 7 14 44:45 40

9. Ulpiana 32 5 9 18 27:60 24

10. Feronikeli 32 3 3 26 12:82 12