Sport

Dellova dhe zyrtari i Llapit pezullohen deri në kompletimin e lëndës

Mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova, është suspenduar nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të martën.

Dellova në ndeshjen e fundit të Ballkanit, atë ndaj Llapit, u ndëshkua me karton të kuq për shkak të reagimit të ashpër ndaj lojtarit kundërshtar në minutën e 76-të.

E për këtë, Komisioni Disiplinor i ka kërkuar atij deklaratë shtesë dhe e ka pezulluar pa të drejtë loje deri në kompletimin e lojës. Një pezullim të ngjashëm nga Komisioni e ka marrë edhe përfaqësuesi i Llapit, Muhamet Rexhepi.

Rexhepi nuk do të mund ta kryejë detyrën deri në kompletimin e lëndës, pasi në minutën e 69-të u ndëshkuar me karton të kuq për shkak të fyerjes së rëndë në drejtim të arbitrit kryesor të ndeshjes.

Deklaratë shtesë, Komisioni ka kërkuar edhe nga përfaqësuesi për siguri i Llapit për lëshim në organizimin e ndeshjes ndaj Ballkanit.

"Në intervale të ndryshme kohore para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes, hidhen fishekzjarrë në fushën e lojës, ndërkaq tifozët vendas ofendojnë në kor tifozët mysafirë. Pas përfundimit të ndeshjes para hyrjes për në lokalet zyrtare (zhveshtore) qëndrojnë persona të shumtë të paautorizuar, të cilët ofendojnë referat e ndeshjes derisa ata po hynin në zhveshtore”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e Komisionit Disiplinor të FFK-së.