Sport

Kryeziu udhëhoqi mbrojtjen “çelik” të Zuerichut

Descriptive Text

Zuerichu e nisi edicionin me pretendimin për të zënë një nga katër vendet e para në Superligën e Zvicrës në futboll. Po e përfundon si kampion dhe atë me diferencë të madhe pikësh me përcjellësit.

Mbrojtja stabile vlerësohet të jetë prej faktorëve më të rëndësishëm që Zuerichu e fitoi titullin e 13-të të kampionit, të parin që nga viti 2009. Dhe në krye të kësaj mbrojtjeje ishte një reprezentues: “në xhirot e fundit mbrojtjen e kishim çelik”, ka thënë Kryeziu të martën për KOHËN, derisa ka folur për mbrojtjen që në xhirot e fundit përbëhej nga tre shqiptarë. Ai në krahun e majtë e kishte Fidan Alitin e në të djathtin Lindrit Kamberin.

Në të vërtetë, Kryeziu e Aliti kanë luajtur rregullisht gjatë gjithë edicionit. Në mbrojtjen me tre lojtarë, në krahun e djathtë ishte Beçir Omeragiq. Ky i fundit u lëndua javë më parë dhe Kamberi zuri vend në formacionin bazë.

Por ishte Kryeziu, 25-vjeçar, që shkëlqeu dhe shfaqi stabilitet. Kryeziu ka kompletuar 30 prej 32 ndeshjeve të deritashme. Në dy ndeshje të tjera mungoi për shkak të kartonëve.

“Në fillim synimi ishte një nga katër vendet e para, për të luajtur në Ligën e Evropës apo në Ligën e Konferencës. Ja filluam mirë kampionatit dhe kështu eci deri në pushimin dimëror. Në pushim shkuam në vendin e parë. Tani kemi folur ne lojtarët dhe kemi thënë se nëse startojmë mirë në pjesën e dytë, atëherë kemi gjasa për titull. Startuam mirë dhe më nuk u ndalëm”, ka thënë Kryeziu.

Zuerichu titullin e festoi të dielën. Madje në fushën e rivalit më të madh, Baselit. Fitoi me shifrat 2:0. Titullin e ka siguruar katër xhiro para fundit.

“Edhe për mua personalisht ishte një kampionat shumë i mirë. I kam luajtur të gjitha ndeshjet, por në dy isha i suspenduar për shkak të kartonëve. Me trajnerin kam folur para fillimit të kampionatit dhe ai më ka bërë të qartë se beson te unë. Më ka thënë se do të punojë për të ma kthyer vetëbesimin. Në fakt, ai më ka dhënë shumë vetëbesim dhe më ka futur në njëfarë borxhi që t’ia kthej me paraqitje në fushë përkrahjen që më ka dhënë. Kemi funksionuar mirë në mbrojtje, së bashku me Fidanin, kemi pranuar më së paku gola nga të gjitha skuadrat. Mbrojtja stabile natyrisht se ishte shumë e rëndësishme në këtë kampanjë të suksesshme”, ka shtuar Kryeziu, që me paraqitjet e këtij edicioni është bërë pretendues shumë serioz për pozitën e titullarit në mbrojtjen e Kosovës.

Financiarisht Zuerichu qëndron dukshëm prapa Young Boysit dhe Baselit, skuadra që i mposhti në garë për titull. Por në fushë gjërat kanë funksionuar mirë për skuadrën që në përbërje i ka edhe Blerim Xhemailin e Bledian Krasniqin.

Kryeziu është i lindur në Zuerich dhe është i zhvilluar te skuadra me të njëjtin emër.

Në edicionin 2015/16 ishte i huazuar te Biel Bienne në kategorinë e dytë helvetike. Në edicionin 2016/17 i luajti ndeshjet e para për ekipin e parë të Zuerichut, në kategorinë e dytë. Në edicionin në vijim i luajti tetë ndeshje në elitë. Luajti 19 herë në edicionin 2018/19 e 21 herë në edicionin 2019/2020. Edicionin e kaluar e humbi vendin, duke luajtur vetëm një ndeshje. Për pjesën e dytë të edicionit ishte huazuar te Kriensi i kategorisë së dytë, ku luajti nëntë ndeshje. Në verë u kthye te Zuerichu. Dhe shfaqi vlerat e vërteta.

Biseda me trajnerin e ri të Zuerichut, Andre Breitenreiter, i ndihmoi shumë. Ai verën e kaluar i tha kosovarit se e di çfarë cilësish ka dhe se do të angazhohet për t’ia kthyer vetëbesimin.

Për Kryeziun gjatë këtij viti janë interesuar skuadra të ndryshme, duke përfshirë edhe ato nga Serie A.

“Kontrata ime ka qenë e vlefshme deri në këtë verë, por e kam vazhduar bashkëpunimin me Zuerichun deri në vitin 2025. Do të qëndroj edhe edicionin e ardhshëm te Zuerichu, dua të vërtetoj që ky që kanë parë të gjithë është Mirlindi i vërtetë. Në këtë kampionat e kam shfaqur veten. Edhe ndaj trajnerit ndihem borxhli dhe natyrisht më duhet ta vërtetoj nivelin që kam shfaqur”, ka thënë Kryeziu.

Tani Zuerichu do të paraqitet në kualifikimet e Championsit, ndërsa gjiganti i mbrojtjes beson se suksesi është i mundur. Por do të varet edhe nga shorti.

Kryeziu ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës. Por prej vitit 2018 është pjesë e Kosovës. Për kohë të gjatë ishte rezervist. Debutoi në shtator të vitit të kaluar në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Luajti edhe ndaj Jordanisë në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa me Zvicrën në miqësoren e marsit e kompletoi ndeshjen. Ai vlerësohet kandidat shumë i fuqishëm për vend në mbrojtjen e Kosovës në ciklin e ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s.