Sport

Nënkampionia evropiane: Çdo sakrificë ia ka vlejtur

Descriptive Text

Laura Fazliu është larguar në moshë të re nga shtëpia dhe familja në Mitrovicë. Si 14-vjeçare ishte vendosur në Pejë për të ndjekur ëndrrën e saj për karrierë të suksesshme. Ëndrrat e saj ishin të lidhura me xhudo, sportin bindshëm më të suksesshëm në Kosovë. Ishte frymëzuar nga xhudistet pejane dhe përnjëherë u bë shoqe e skuadrës me to.

Ka pasur vështirësi dhe sfida gjatë shtatë vjetëve në qytetin e Majlindës, Norës e Distrisë. Ka pasur krizat e saj edhe në karrierë. Madje edhe momente kur kryemjeshtri Driton Kuka ka pasur dilema nëse Laura vërtet do t’ia dalë.

Megjithatë, potenciali i saj nuk është kontestuar asnjëherë. Dhe diçka prej potencialit vajza nga Mitrovica ka shfaqur të shtunën. Prej së shtunës është nënkampione evropiane në xhudo. E dyta e kontinentit është në kategorinë deri 63 kilogramë.

Suksesi i madh, bindshëm më i madhi në karrierën e deritashme të Laurës, ka bërë që ajo të vlerësojë se çdo sakrificë e deritashme ia ka vlejtur.

Laura arriti katër fitore impresive, me aksione secili më i mirë se tjetri, para se të ndalej në finale nga britanikja Gemma Hoëell. Në luftën e dytë Laura e mposhti bartësen e parë, britaniken tjetër Lucy Renshall. Kështu hapi rrugën për të shkuar deri në finale.

“Fillimi i vitit nuk ishte si e kam planifikuar. Kam pasur humbje në dy garat e para të vitit. Ato humbje më kanë bërë që të reflektoj. Pas atyre humbjeve e kam ditur se në çka duhet të fokusohem më shumë dhe çka të përmirësoj. Ia kam vendosur vetes qëllimin që të përgatitem për Kampionat Evropian. Me paraqitjen në Evropian jam shumë e kënaqur. Është rezultati më i mirë në karrierën time të deritashme”, ka thënë Laura Fazliu të dielën për KOHËN.

Se ka ditë të madhe, Laura dëshmoi me fitoren në luftën e dytë. Ajo nuk ishte fare bartëse në Evropian, ndërsa e mposhti bartësen e parë.

“Ndaj britanikes kisha dy humbje nga e kaluara. Lufta ka qenë e vështirë dhe ka shkuar në kohën shtesë. Kësaj radhe kam qenë e përgatitur për të. E kemi analizuar mirë paraprakisht me Tonin dhe Majlindën, sepse e kemi ditur që fitorja ndaj saj është çelësi për të vazhduar rrugën drejt finales”, ka shtuar Fazliu.

Ajo ka arritur suksese të mëdha te të rejat, përkatësisht në grupmoshën e kadetëve dhe junioreve. Por 21-vjeçarja ka pritur për shpërthim në skenën e të rriturave, shpërthim që erdhi të shtunën. Por synimet e saj janë edhe më të mëdha.

“Këtë vit fillojnë kualifikimet olimpike për Parisi 2024. Normalisht, fokusi më i madh është të fitoj normën olimpike. Mirëpo ka plot gara të rëndësishme këtë vit si Lojërat Mesdhetare dhe Kampionati Botëror për seniorë”, thotë Laura.

Ajo në këndin e trajneres e kishte Majlinda Kelmendin, ndërsa këshilla nga tribuna mori nga kryetrajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

“Të kem një trajner si Toni e tani edhe Majlindën në anën time, më rrit vetëbesimin dhe më bën të ndihem shumë më e sigurt. Në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe sepse kam dëshirë që të gjithë mundin dhe kohën që më kanë kushtuar t’ua kthej me sukses. Kjo medalje do të ishte e pamundur pa ta”.

Ajo ka festuar së bashku me Majlindën, pasi siguroi medaljen evropiane. Thotë se ishte një moment shumë emocionues dhe se është gëzuar shumë.

“Është ndjenjë e mirë kur puna, mundi dhe sakrifica shpaguhen”.

Trajneri Kuka, po ashtu, është shprehur krenar me paraqitjen e Laurës në Evropian. E ka quajtur kolose.

“Të dëgjosh këso fjale nga trajneri më i mirë në botë është diçka shumë e veçantë. Fjalët e Tonit janë të rëndësishme për mua. Më motivojnë që të punoj fort drejt sukseseve të reja”, thotë Laura, e para e gjeneratës së re të xhudisteve me medalje në ngjarjet e mëdha.

Për shtatë vjet në Pejë, Laura është përshtatur plotësisht në qytetin e kampioneve të xhudos. Thotë se Peja është shtëpia e dytë e saj.

“Largimi nga familja ka qenë ndoshta momenti më i vështirë në jetë, sidomos pasi u largova në moshë të re. Dua të falënderoj të gjithë në klubin Ippon që më kanë pritur shumë mirë dhe ma kanë bërë këtë sfidë më të lehtë. Sidomos trajnerin Toni Kuka që më ka hapur dyert për të vazhduar karrierën sportive. Si kadet e juniore kam marrë medalje në kampionate evropiane e botërore. Por suksesi në Evropianin për të rritur është ndjenjë tjetër. Ka rëndësi shumë të madhe dhe me të vërtetë ia ka vlejtur çdo sakrificë”, ka thënë Fazliu.

Ajo u bashkohet xhudistëve si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova me suksese të mëdha ndërkombëtare.