Sport

Ilir Daja i lumtur me pikën e fituar, kritikon mbrojtësin Dellova

Descriptive Text

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është shprehur i lumtur me pikën e fituar në ndeshjen ndaj Llapit.

Daja ka thënë se skuadra e tij është me meritë në vendin e parë.

Ai ka kritikuar mbrojtësin Lumbardh Dellova pasi u ndëshkua me karton të kuq.

“Sigurisht kemi bërë një pjesë të parë si kampion të Kosovës, pasi kemi vënë në vështirësi një skuadër të fortë siç është Llapi, në fushën e vet. Kishim lojën në kontroll, kishim shumë raste ashtu siç i ka hije një ekipi që është lider. Filluam më mirë në pjesën e dytë, me qarkullim të topit, por marrja e panevojshme e kartonit të kuq nga Lumbardh Dellova duke lënë ekipin me dhjetë lojtarë në fushë, i vështirësoi gjërat. Besoj që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe me raste të shumta”, ka thënë Daja.

“Për Dellovën është kartoni i dytë i kuq që merr dhe nuk i shkon një lojtari të Përfaqësueses së Kosovës të dal jashtë kontrollit. Jemi mbrojtur shumë mirë pasi kemi mbetur me dhjetë lojtarë dhe kemi pasur disa momente të mira me kundërsulme. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë në një atmosferë të mirë që krijuan të dy tifozëritë në një stadium të mirë”, ka theksuar Daja.

Ai ka folur edhe për periudhën e deritashme te Ballkani.

“Ka qenë një periudhë fantastike . Kur kanë mbetur edhe katër xhiro, kemi pësuar vetëm një humbje në të gjitha këto ndeshje, duke filluar që nga përgatitjet që kemi pasur në Turqi. Kemi kryesuar me meritë pa nënvlerësuar asnjë ekip. I kemi marrë të gjitha ndeshjet me seriozitet dhe kualitetit që ka grupi ka bërë që të kemi një sezon fantastik. Jemi të gatshëm për Evropë, ndoshta na mungon eksperienca në garat ndërkombëtare por shpresoj që të bëjmë sa më mirë që të jetë e mundur me grupin që kemi. Do të mundohemi të mbajmë gjithë bërthamën dhe të përforcohemi ku kemi nevojë. Gjithashtu shpresoj të kemi edhe një short të mirë dhe të vazhdojmë ëndrrën”, deklaroi Daja.