Sport

Xhaka flet për shiritin e kapitenit te Arsenali, Mikel Artetan dhe ambiciet për Champions

Descriptive Text

“Kapiteni i Arsenalit mund të jetë pa shirit dhe unë po mundohem të udhëheq lojën dhe lojtarët pa shirit në krah”, ka thënë Granit Xhaka për Sky Sports

Kur Mikel Arteta mori drejtimin e Arsenalit, ai premtoi revolucion. Duke marrë për bazë historinë e Granit Xhakës në klub, pak kush do të parashikonte se do të ishte kapiteni i Zvicrës në krye të tij.

Xhaka ishte lojtar kyç te Arsenali që nga ardhja prej Borussia Moenchengladbachut në vitin 2016. Por ai ishte figurë përçarëse mes fansave. Disa prej tyre ishin kritikë për paraqitjet e tij dhe për disiplinën e mesfushorit në veri në Londrës.

Pika e ulët në marrëdhënie erdhi në tetor të vitit 2019 ndaj Crystal Palace. Xhaka, kapiten atëbotë, dukej se ka sharë tifozërinë pasi u fishkëllye nga shikuesit. Ai u fishkëllye pasi u zëvendësua.

29-vjeçari mbeti pa shiritin e kapitenit pas incidentit dhe ai ka pranuar se ishte pranë largimit nga Arsenali. Por Arteta e bindi të qëndronte. Është vendim që është shpaguar, pasi Xhaka po shijon një ringjallje te topçinjtë. Skuadra po lufton për një vend që dërgon në Champions në edicionin e ardhshëm.

Mesfushori ka kthyer ndikimin dhe autoritetin te Arsenali këtë edicion dhe ka folur për të kthyer shiritin e kapitenit një ditë, ndonëse e ka refuzuar atë kur iu ofrua nga i zëvendësuari Eddie Nketiah në fund të ndeshjes në fitoren 2:1 ndaj Brentfordit, në muajin shkurt.

Asnjëherë mos thuaj asnjëherë

“Unë asnjëherë nuk do të them asnjëherë”, ka thënë Xhaka për Sky Sports, kur është pyetur për shiritin e kapitenit të Arsenalit. “Nuk isha gati për shirit. Kapiteni mund të jetë pa shirit në krah dhe unë po mundohem ta udhëheq lojën dhe lojtarët pa shirit. Por nëse nesër dikush nga klubi vjen dhe më pyet nëse dua ta marr, unë do të jem këtu pasi e di se jam sërish i gatshëm për të bërë këtë”.

Nëse ndodhë kjo, do të jetë një prej tregimeve më të mëdha rikthyese në sport.

Duke folur me Xhakën tani është e vështirë të besohet se është i njëjti lojtar që reagoi ndaj masës në atë ndeshje ndaj Palace.

Karriera e tij në klubin londinez dukej e mbaruar – ai pranon se kishte bërë gati valixhet – me Romën si destinacion të tij.

Xhaka nuk është lojtari i njëjtë tani pasi nuk është i njëjti person. Nuk ishte e lehtë por ai ka arritur në pikë tjetër. Ai kishte folur për nivelin e urrejtjes që kishte duruar. Ishte përvojë e vështirë, por ai ndihet i vlefshëm dhe i denjë tashmë.

“Pasi ajo ndodhi, njerëzit më thonin se nuk është urrejtje, por për mua ishte absolutisht urrejtje. Unë e di çka është urrejtja, e di çka është dashuria dhe çka është në mes. Kjo nuk ishte në mes, nuk ishte dashuri, ishte urrejtje. Kam pasur reagime shumë pozitive nga fansat, nga mediat sociale dhe isha shumë krenarë me veten. Nuk ka shumë lojtarë që flasin për këtë, që janë shumë të hapur, ata janë të frikësuar për të ardhmen. Për mua ishte kohë e përsosur. Ende ka njerëz që më thonë se ju nuk do ta ndryshoni qëndrimin tonë, por gjëja më e rëndësishme ishte se si ndihem unë. Dhe kjo është shumë mirë”, ka theksuar Xhaka.

Ajo që i është ofruar gjithashtu është një mundësi nga njerëzit e Arsenalit, të cilët e kanë mbështetur dhe e kanë ndihmuar të kuptojë se të kesh disa përplasje gjatë rrugës nuk është gjë e keqe.

“Nuk është reale që në jetë të lëvizësh në një vijë të drejtë. Ndonjëherë jud duhet të shkoni në rrugë tjetër, të hapësh derën e dytë apo të tretë, të kthehesh atje ku e di se dëshiron të jesh dhe ky është rrëfimi im në këtë klub futbolli. Të shkatërrohesh por të kthehesh sërish, kjo ka të bëjë me mentalitetin. Me atë se sa shumë ke besim në vete, sa shumë të besojnë njerëzit përreth”, ka vazhduar Xhaka.

Xhaka për Artetën: “Më ka munguar një trajner si ai”

Arteta e bindi mesfushorin e tij të qëndroi. Besimi që trajneri shfaqi ndaj lojtarit, ka bërë që Xhaka të lulëzojë. Kur Xhaka shënoi golin brilant në fitoren 3:1 ndaj Manchester Unitedit fundjavën e kaluar, trajneri Arteta ishte plot lavde.

Arteta tha: “Nëse ndonjë tifoz apo person kalon pesë apo dhjetë minuta me Granitin, edhe dy minuta madje, ai do të kuptojë se çfarë personi është Xhaka, sa profesional është dhe sa shumë kujdeset për klubin”.

Qartë se ka lidhje të veçantë mes Artetas e Xhakës.

Xhaka thotë: “Mikel dhe unë jemi shumë të afërt. Kur ai erdhi dy vjet më parë më tha atë që doja të dëgjoja. Më ka munguar një trajner si ai, shumë i ngrohtë dhe i hapur. Arteta ishte gjithnjë pas meje pavarësisht asaj që njerëzit kanë thënë për mua”.

Arteta i ka dhënë Xhakës besimin që të shfaq vete, të bëj gabime por të punoj shumë për t’i përmirësuar ato.

“Nuk jam kështu vetëm në fundjavë, por çdo ditë. Jam 29-vjeçar, por dua të përmirësohem. Jam ende i uritur për të arritur diçka dhe dua t’i jap diçka Mikelit si shpërblim pasi ai gjithnjë më ka përkrahur”.

Xhaka dëshiron të luaj ndaj më të mirëve

Shpërblimi padyshim do të ishte paraqitja në Ligën e kampionëve. Topçinjtë janë rikuperuar nga humbjet rresht nga Crystal Palace, Brighton dhe Southampton duke mposhtur Chelsean dhe Manchester Unitedin. Tani është në garë për kualifikim në Champions nga Premier League.

“Dua të luaj ndaj më të mirëve dhe të arrij sukses po ashtu”, ka thënë Chaka.

Forma e Arsenalit është ngritur në xhirot e fundit dhe Xhaka ishte vendimtar në këtë.

“Çelësi është të jemi të bashkuar dhe të vazhdojmë të besojmë. Është gjithnjë më e lehtë që pas fitores të qëndrosh i bashkuar. Më së vështiri është kur pëson. Ju duhet të qëndroni të fortë me të gjithë. Po ndihem shumë krenar me veten, po ndihemi shumë mirë si ekip. Ka shumë respekt, po qeshim së bashku. Jemi të dëshpëruar së bashkuar, është pjesë e punës tonë. Por në përgjithësi jemi shumë të lumtur. Kemi bërë punë të madhe deri më tani. Jemi në pozitë të mirë dhe çdo gjë është në dorën tonë”, ka thënë Xhaka.