Sport

Suksesi i parë i madh për Majlindën si trajnere

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, ka udhëhequr nga këndi i trajneres xhudisten Laura Fazliu që të shtunën fitoi medaljen e argjendtë evropiane. Laura shkëlqeu në kategorinë deri 63 kilogramë, duke shënuar katër fitore impresive para se të ndalej në finale. 21-vjeçarja Fazliu ka karrierë të madhe para.

Majlinda i ka dhënë fund karrierës si xhudiste pas Lojërave të Tokios. Ka fituar krejt çka mund të fitohet. Prej vjeshtës është pjesë e ekipit të kryetrajnerit Driton Kuka. Kryesisht punon me fëmijë, por edhe me xhudistë të gjeneratës më të re.

Në Grand Slamin e Parisit dhe në Evropian ka udhëhequr xhudistet e reja. Të premten e udhëhoqi nga këndi Flaka Loxhën, që u rendit e shtata. Ndërkohë të shtunën ishte në këndin e Laura Fazliut dhe është pjesë e suksesit të madh të saj.

Kryetrajneri Kuka ka drejtuar Distria Krasniqin të premten e Akil Gjakovën të shtunën. Distria fitoi medalje të bronztë, ndërsa Akili u ndal në luftën e parë. Por Kuka ishte shumë aktiv edhe në luftërat e Laurës. Xhudistes së re i ka dhënë këshilla të vazhdueshme nga tribuna.

Puna në stërvitje me trajnerin Kuka ka nisur t’i shpërblehet Laurës me suksese kulmore.

Të premten ka ndodhur që Distria dhe Flaka të garojnë në të njëjtën kohë, përkatësisht që Toni Kuka dhe Majlinda të jenë të angazhuar në të njëjtën kohë. Kjo vlerësohet prej anëve pozitive të angazhimit të Majlindës në pozitën e trajneres – udhëheqja në dy fronte. Në të kaluarën ka ndodhur një situatë e tillë që dy xhudistë të garonin në të njëjtën kohë. Por njëri mbetej pa trajner afër. Kuka udhëhiqte njërin xhudist e tjetri mbetej pa trajner në kënd.