Sport

Milani me sytë kah titulli takohet me Fiorentinan

Descriptive Text

Milani do të jetë nikoqir i Fiorentinas të dielën në orën 15:00, duke e ditur se fati i titullit të kampionit në Serie A e ka në duart e veta pas paraqitjes së dobët të portierit rezervë të Interit, Radu. Ai ia dha shansin që Milani të jetë kandidat edhe më serioz për titullin e kampionit. Në fundjavë, në Itali, do të zhvillohet xhiroja e 35-të.

Në vitin 2011, për herë të fundit kampion, Milani u bë favorit për “Scudetto” madje edhe pa e goditur fare topin të mërkurën, pasi Bologna mposhti Interin 2:1 dhe e la kampionin në fuqi dy pikë prapa rivalit lokal.

Shumë pak u kanë besuar syve kur portieri Radu, në ndeshjen e tij të parë si titullar në Serie A në këtë sezon në vend të të lënduarit Samir Handanoviq gaboi rëndë nën presionin e Nicola Sansones, që shumë lehtë shënoi për golin e fitores.

Ky gabim ishte aq i madh saqë “Gazzetta dello Sport” e krahasoi me atë të Giuliano Sartit në vitin 1967, i cili ia siguroi titullin Juves.

Radu e la stadiumin “Renato Dall’Ara” në mes lotëve, ndërsa lojtarët e tjerë e ngushëllonin. Madje Denzel Dumfries u mundua ta pengonte kamerën që po e filmonte.

Nga ana tjetër, tifozët “rossoner” festonin.

Tri fitore dhe një barazim nga katër ndeshjet e fundit do t’ua garantonin titullin.

Olivier Giroud shënoi dy gola në muajin shkurt në derbi për t’u siguruar që Milani t’i ketë më të mira ndeshjet e ndërsjella, nëse skuadrat mbarojnë kampionatin me pikë të njëjta.

Tani, skuadra e Simone Inzaghit duhet të udhëtojë tek Udinese të dielën në orën 18:00.

Një tjetër derbi është vendimtar për pjesën e poshtme të tabelës. Sampdoria e pret Genoan të shtunën në orën 18:00.

Sampdoria ka pasur tri disfata e një barazim dhe tashmë ka vetëm pesë pikë më shumë se rivali lokal Genoa, që pozicionohet në vendin e parafundit (19), me 25 pikë.

Afër mbetjes në ligë është edhe Salernitana, që e mbyll xhiron e 35-të të hënën në udhëtim tek Atalanta në orën 20:45. Salernitana ka tri fitore të njëpasnjëshme, me pikë të njëjta me Genaon dhe tri më pak se Cagliari. Salernitana e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Napoli, që dështoi fundjavën e kaluar në udhëtim te Empoli duke u mposhtur 3:2, është larguar nga lufta për titull. Të shtunën në orën 15:00 e pret Sassuolon.

Ndërkohë, Juventusi i vendit të katërt e pret Venezian e vendit të fundit.