Sport

Podium evropian për Distrinë, që vazhdon rrugën drejt synimit më të madh

Descriptive Text

Distria Krasniqi nuk ishte në ditën më të mirë të premten. Por xhudistja pejane megjithatë ka fituar medalje të vlefshme në Kampionatin Evropian të Xhudos që po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Distria përfundoi e treta në kategorinë deri 52 kilogramë.

Në luftë për medalje të bronztë, Distria e mposhti gjermanen Mascha Ballhaus. Nuk ka pasur hedhje në luftë, që është vendosur në bazë të dënimeve. Dënimin e tretë gjermania e papërshtatshme e mori në minutën e 11-të të luftës. Distria i kishte dy dënime.

Lufta ishte e hapur, me dy xhudistet që kërkuan hedhjet. Por nuk kishte hedhje të suksesshme, kështu që në fund vendosën dënimet.

Për Distrinë është medalja e katërt në kampionate evropiane. Ajo ka edhe një të bronztë tjetër, një të argjendtë e një të artë. Të artën e fitoi vjet në kategorinë deri 48 kilogramë, kategori në të cilën fitoi edhe të artën olimpike. Por pas Lojërave Olimpike të Tokios, Distria kaloi në kategorinë e re, deri 52 kilogramë, ku ende po e kërkon shkëlqimin.

Medalja evropiane megjithatë është sukses i madh, ndërsa pritet t’i shërbejë Krasniqit për të dalë në xhudon më të mirë të saj.

Pas Tokios ajo doli e pesta në Grand Slam të Bakusë, nëntorin e kaluar. Në Grand Prix të Portugalisë, në janar, fitoi të artën. E dyta ishe në Grand Slamin e Parisit dhe tani e treta në Evropian. Pra, sukseset e mëdha nuk po i mungojnë.

Për shkak të ndryshimit të kategorisë, Distria ishte vetëm bartësja e tetë në Sofje. Nisi me fitore bindëse ndaj bullgares, Gabriela Dimitrova. Në çerekfinale e kishte përballë bartësen e parë dhe kampionen në fuqi të kësaj kategorie, Amandine Buchard. Ndaj saj nuk shfaqi shumë, ndërsa lufta u vendos me dënime. Dënimin e tretë e mori Distria. Në luftën e parë të repesazhit Krasniqi e kaloi zviceranen Fabiene Kocher. Ndaj saj fitoi me “Waza-ari”.

Distria ka pasur periudhë të jashtëzakonshme që kulmoi me medalje të artë olimpike. Ka vazhduar të jetë e suksesshme dhe të mbledhë medalje, por ende nuk është më e mira e kategorisë deri 52 kg. Ky është synimi i saj për të cilin po punon shumë. Në fakt i gjithë fokusi i Distrisë dhe trajnerit Driton Kuka është që ajo të jetë në formën më të mirë në momentin e duhur, në verën e vitit 2024, kur mbahen Lojërat e ardhshme Olimpike. Procesi nuk është i lehtë, por Kuka është dëshmuar si mjeshtër i gjetjes së formës në momentin e duhur. Rëniet e ngritjet deri në Paris janë të zakonshme, ndërkohë që medaljet vijnë pa ndalur. Herë të arta e herë të bronzta, por Distria vazhdon t’i fitojë ato. Madje në ngjarjet kryesore.

Chelsie Giles e Britanisë së Madhe fitoi të artën në kategorinë deri 52 kg. Ajo në finale e mposhti Buchardin. Kroatja Ana Viktorija Puljiz fitoi të bronztën tjetër.

Të shtunën në Evropian paraqiten Akil Gjakova e Laura Fazliu. Akili është pretendues për medalje. Vjet fitoi të artën në kategorinë deri 73 kilogramë. Ndërkohë Laura në kategorinë deri 63 kilogramë është në kërkim të shpërthimit te të rriturat.