Sport

Ukraina do të luajë lojë miqësore me Gladbachun

Descriptive Text

Ukraina do të kthehet në fushë për herën e parë qëkur nisi pushtimi nga Rusia.

Ukrainasit do të luajnë ndeshje miqësore kundër klubit gjerman, Borussia Moenchengladbach më 11 maj, para ndeshjes vendimtare kualifikuese për Botëror.

Federata e Futbollit të Ukrainës ka thënë të premten se do ta grumbullojë ekipin për një kamp stërvitor në Slloveni nga dita e hënë.

Klubi i Bundesligës ka thënë se të ardhurat nga ndeshja do të shkojnë për bamirësi, me fokus në Ukrainë dhe te ukrainasit, dhe se qytetarët e shtetit do të kenë lëvizje të lirë.

Përfaqësuesja e Ukrainës nuk ka luajtur që prej muajit nëntor, ndërsa ndeshja kualifikuese e plejofit për Kupën e Botës kundër Skocisë, u shty nga marsi për 1 qershor për shkak të luftës.

Fituesi do të ballafaqohet me Uellsin më 5 qershor, për një vend që dërgon në Botërorin e Katarit.

Ukraina nuk ka shfaqur një listë të skuadrës për kampin stërvitor dhe miqësoren. Dy skuadrat më të mëdha të shtetit, Dynamo Kiev dhe Shakhtar Donetsk, kanë luajtur nëpër Evropë në ndeshje bamirësie.

Disa lojtarë të njohur të Ukrainës, si mbrojtësi i majtë i Manchester Cityt, Oleksandr Zinchenko dhe sulmuesi i West Hamit, Andriy Yarmolenko, do të jenë të me detyra në klubet e tyre, kur do të luhet ndeshja me Gladbachun.

Ukraina është në seri prej shtatë ndeshjeve pa disfatë, që prej eliminimit nga Anglia në çerekfinale në Kampionatin Evropian në vitin e kaluar. Megjithatë, pesë nga këto ndeshje përfunduan baras, kurse fitoret e vetme ishin ato ndaj Finlandës dhe Bosnje-Hercegovinës.