Sport

Ringjallja e Xhakës po e shtyn Arsenalin drejt Championsit

granit xhaka, sport, futboll, premier league, liga angleze

Kishte një ndjenjë fati te Granit Xhaka që shënoi golin vendimtar në fitoren 3:1 të Arsenalit kundër Manchester Unitedit, të shtunën e kaluar në stadiumin “Emirates”. Ai festoi me pasion para tribunës veriore, krahëhapur dhe duke shijuar duartrokitjet. Goli i Xhakës dhe fitorja që pasoi e vendosën Arsenalin në vendin e katërt në Premier League për herë të parë që nga edicioni 2015/16.

Për Xhakën ishte goli i parë këtë edicion me fanellën e Arsenalit. Me pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, Arsenali ka dy pikë më shumë se Tottenhami që zë vendin e pestë.

Derbi i Londrës mes këtyre dy ekipeve do të luhet më 12 maj. Nëse Arsenali arrin të kualifikohet në Champions për sezonin e ardhshëm, atëherë kjo do të jetë meritë edhe e Xhakës. Në fakt, Xhaka është ringjallur në ndeshjet e fundit dhe për këtë duhet falënderuar trajneri Mikel Arteta që ka pasur besim të madh në mesfushorin e Zvicrës.

Xhaka 29-vjeçar ka treguar dinamikë dhe ritëm të mirë të lojës, të cilin e konfirmoi edhe në ndeshjen kundër Chelseat që u luajt para asaj me Unitedin. Edhe në atë ndeshje, Xhaka shfaqi cilësitë e tij dhe pati ndikim në fitoren 4:2. Të njëjtin ndikim e kishte edhe kundër Unitedit, duke ua dëshmuar të gjithëve se sa lojtar i rëndësishëm është për Arsenalin dhe trajnerin Arteta. Ndaj Chelseat, Xhaka ishte “asistenti i parë” i Artetas jo vetëm duke iu dhënë mesazhe lojtarëve në fushë, por edhe duke i udhëhequr ata prej fillimit deri në fund.

“Arteta kishte nevojë për Xhakën në fushë ndaj Chelseat, i cili e ndihmoi si asistent. Arteta kishte nevojë për Xhakën që t’i implementojë idetë e tij dhe mesfushori e kreu këtë detyrë në mënyrën më të mirë. Mjaftonte një shenjë me dorë apo një shikim nga Arteta për Xhakën, i cili e dinte si të vepronte”, ka shkruar ESPN. “Kundër Unitedit roli i Xhakës ishte tjetër. Kur Arsenali ishte nën presion në 20 minutat e para, Xhaka ishte ai që urdhëroi ekipin ta marrë kontrollin e lojës. Në fakt, ai i udhëhoqi në fushë dhe e shënoi golin vendimtar”.

Arteta ka marrëdhënie speciale me Xhakën, i cili i kupton shumë mirë idetë e tij dhe mund ta bëjë dallimin në fushë. Arteta ishte vendimtar që klubi nga Londra i refuzoi të gjitha ofertat e Romës për transferimin e Xhakës. Duket se Arteta e ka gjetur çelësin për ta kthyer Arsenalin në Champions. Ai është Xhaka, i cili po e udhëheq skuadrën nga Londra drejt një synimi të madh.