Sport

Tjetër dënim i FFK-së ndaj Eroll Salihut

eroll salihu, ffk, sport, agim ademi

Një tjetër dënim i është ndarë Eroll Salihut të enjten nga Federata e Futbollit të Kosovës. Pasi Komiteti Ekzekutiv ia shkëputi marrëdhënien e punës, është Komisioni Disiplinor që ka dënuar Salihun, ish-sekretarin e përgjithshëm të FFK-së.

Sipas vendimit, Salihu me rastin e prononcimit për media ka shkelur Kodin e Mirësjelljes Sportive dhe Rregulloren Disiplinore. Komisioni Disiplinor ka marrë dy masa disiplinore ndaj Eroll Salihut. Është gjobitur me 200 euro, sipas masës së parë.

“Eroll Salihut i shqiptohet dënimi ndalim i kryerjes së funksioneve si drejtor për çështje sportive dhe Këshilltar i lartë ligjor i FFK-së në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, i cilin dënim është i ekzekutueshëm nga momenti i shqiptimit”, shkruan në masën e dytë disiplinore.

Disiplinori ka paraqitur një arsyetim të gjatë të vendimit.

Komisioni Disiplinor i FFK-së përbëhet nga Metë Çeku (kryetar), Dukagjin Zefi, Avni Shala e Luan Salihu.

Ky organ ka dënuar të enjten edhe drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberi dhe drejtorin sportiv të Drenicës, Taulant Dajaku. Edhe për Zymberin e Dajakun, Komisioni ka vlerësuar se kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes Sportive dhe Rregulloren Disiplinore me rastin e prononcimit për media.

Zymberi e Dajaku janë gjobitur po ashtu me nga 200 euro, ndërsa janë dënuar me ndalim të kryerjes së funksioneve për gjashtë muaj.

Salihu, Zymberi e Dajaku ishin prej kritikëve të mëdhenj të drejtuesve aktualë të FFK-së. Por nuk ishin të vetmit. Dënimet ndaj tyre janë vlerësuar edhe përpjekje për të ndaluar kritikat publike ndaj federatës.