Sport

Hendboll, Besa Famgas e Prishtina në finale të plejofit

Descriptive Text

Po i afrohet fundi garës në Superligën e Kosovës në hendboll. Në fundjavë janë luajtur ndeshjet e dyta gjysmëfinale të plejofit, që kanë përcaktuar skuadrat finaliste.

Në finale të plejofit në Superligën në konkurrencë të meshkujve, ashtu si pritej, takohen Besa Famgas e Prishtina.

Kampionia aktuale, Besa Famgas, në dy ndeshje ishte bindëse ndaj Rahovecit. Të shtunën mbrëma ekipi pejan fitoi me shifrat 40:26. Për Besën ishte fitorja e 30-të rresht në elitën e hendbollit kosovar. Victor Alonso udhëhoqi Besën me 12 gola. Gjashtë i shënoi Deniz Terziqi. Ndërkohë te Rahoveci shtatë gola i shënoi Alban Haziri, ndërsa gjashtë i kishte Arlind Tanushi. Për Besën ishte fitorja e dytë në këtë seri.

Besa stinorin e rregullt e ka përfunduar në pozitën e parë, ndërsa Rahoveci në të katërtën.

Në gjysmëfinalen tjetër janë takuar Prishtina e vendit të dytë dhe Trepça e vendit të tretë.

Ndeshja e parë, e luajtur të enjten në Prishtinë, ishte më interesante. Pas epërsisë së Trepçës në pjesën e parë, vendësit u kthyen fuqishëm në të dytën për të fituar me shifrat 34:29. Ndërkohë të dielën në Mitrovicë, Prishtina fitoi bindshëm, 38:32. Prishtina herët u shkëput dhe arriti pa telashe te fitorja. Oltion Beshiri me 11 gola ishte më efikasi te Prishtina. Te Trepça u dallua Sali Maxhera me 9 gola.

Edhe në Superligën e hendbollisteve po zhvillohet plejofi. Istogu është finalisti i parë. Skuadra istogase në dy ndeshje ishte më e mirë se Vushtrria. Fitoren e dytë Istogu e arriti të shtunën në Vushtrri, me shifrat 31:19. Ndeshjen e parë gjysmëfinale Istogu e kishte fituar me shifrat 32:22.

Istogu ka fituar 22 ndeshjet e stinorit të rregullt dhe në plejof startoi prej pozitës së parë.

Në gjysmëfinalen tjetër do të luhet ndeshja e tretë. Prishtina e fitoi ndeshjen e parë ndaj Ferizajt me shifrat 39:32. Por të shtunën ferizajaset barazuan serinë në 1:1, duke fituar në palestrën “Bill Clinton” me rezultati 33:28. Ndeshja e tretë dhe vendimtare luhet në mesjavë në Prishtinë. Prishtina në stinorin e rregullt ishte e dyta, ndërsa Ferizaj i treti. Vitin e kaluar titullin e fitoi Vushtrria. Kështu, Kosova do të ketë kampion të ri te hendbollistet.