Sport

Berisha mungoi në fundjavë, por ka siguruar vendin në portën e Torinos

Edhe pse u paralajmërua nga trajneri i Torinos, Ivan Juriq, se do të ishte titullar ndaj Spezias, portieri Etrit Berisha nuk u paraqit në këtë ndeshje që u luajt të shtunën në kuadër të Serie A dhe përfundoi me fitoren e Torinos me shifrat 2:1.

Ndaj Spezias, në portë për herë të parë pas gjashtë ndeshjeve ishte portieri serb Vanja Milinkoviq-Saviq që ishte portieri i parë i Torinos më herët. Berisha nuk luajti në këtë takim për shkak të etheve që kishte dhe kjo detyroi trajnerin Juriq të bëjë ndërrim në portë në momentet e fundit. Portieri serb u vlerësua me notën më të dobët te Torino dhe prej ndeshjes së ardhshme pritet të jetë serish rezervist i Berishës. Berisha në gjashtë ndeshje rresht ka qenë i pazëvendësueshëm te Torino dhe ishte ndër më të dalluarit në ekipin e Serie A. Në gjashtë paraqitjet e tij Berisha pranoi vetëm tre gola, ndërsa Torino tuboi shtatë pikë.

“Ka tri ditë që më ka kapur një grip dhe për këtë arsye nuk isha në portë ndaj Spezias. Kështu që kur të më kalon ky grip do të rikthehem sërish në portë te Torino”, tregoi Berisha për KOHËN.

Ai është i lumtur që ka dëshmuar veten te Torino. Thotë se për ta zënë vendin e titullarit punoi shumë dhe nuk u dorëzua për asnjë moment.

Portieri prishtinas pranon se fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë, por është treguar i durueshëm dhe ka pritur rastin e tij i cili iu dha vetëm në xhiron e 28-të. Para asaj ndeshjeje, Berisha kishte vetëm një paraqitje këtë edicion për Torinon dhe atë në kuadër të Kupës së Italisë.

“Fillimi nuk ka qenë i lehtë, pasi nuk kam pasur edhe shumë hapësira me ekipin për arsye të ndryshme. Mirëpo gjëja më e rëndësishme ka qenë që në stërvitje jam munduar ta jap gjithmonë maksimumin dhe të jam gati nëse eventualisht më jepet rasti. Dhe kjo ka ndodhur ndërsa unë jam munduar ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë”, është shprehur “gardiani” i Shqipërisë.

“Tani për tani jemi pak të shkëputur nga zona e rrezikshme. Por kemi bërë ndeshje shumë të mira ndërsa kemi marrë pak pikë. Nuk kemi pasur edhe shumë fat, siç ishte edhe ndeshja ndaj Lazios ku kemi pësuar gol në minutat e fundit. Kjo ka ndodhur në shumë ndeshje ku kemi pësuar gol në minutat e fundit”.

Berisha beson që me Torinon do ta mbyllë edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndërsa, insiston se nëse i jepet rasti për t’u paraqitur në portë, atëherë do ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar ekipin e tij.

Torino ka tubuar 43 pikë dhe zë vendin e 11-të në Serie A.

“Ka shumë ndeshje ku kemi pranuar gol pa meritë por prapë se prapë pikë synimi ynë është që ta përfundojmë sezonin në mënyrën më të mirë, të bëjmë futboll të mirë dhe të bukur dhe çdo ekip e ka të vështirë të luaj kundër skuadrës sonë. Ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe nëse na jepet mundësia janë edhe shtatë ndeshje dhe gjithëçka është e mundur”, u shpreh 33-veçari.

Nëpër mediumet italiane është shkruar ditët e fundit se Torino ka vendosur ta blejë përfundimisht kartonin e Berishës nga SPAL-i. Në fakt, sipas mediumeve në Itali, Berisha do të jetë portieri i parë i Torinos në sezoni e ri, ndërsa Milinkoviq-Saviq do të nxirret në shitje. E këtë në njëfarë mënyrë e konfirmoi edhe trajneri Juriq para ndeshjes me Spezian.

“Shperesoj që të jam edhe në edicionin e ardhshëm pjesë e Torinos. Mirëpo së pari është me rëndësi që të shohim se si do të shkojnë gjërat këtë sezon. E kam ditur gjithmonë që do të më vijë rasti. Mirëpo e kam ditur se çka duhet të bëj kur të vijë mundësia, kështu që fokusi ka qenë te stërvitjet”, është shprehur Berisha.

Portieri shtatlartë bën karrierë në Itali pothuajse një dekadë. Ai është paraqitur edhe për skuadrat si Lazio e Atalanta, ndërsa është pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Shqipërisë.