Sport

Daja thotë se Ballkani nuk është në presion

Trajneri i liderit të Superligës, Ballkanit, Ilir Daja, ka deklaruar pas barazimit me Ulpianën se lojtarët e tij nuk janë në presion dhe shtoi se e ka ditur se nuk mund të fitohen gjithë ndeshjet deri në fund të kampionatit.

“Sigurisht e kishim parasysh që Ulpiana do të kthehet prapa sepse nuk po kalon moment të mirë. Na mungoi loja e shpejtë në zona të vogla, vononim pasimet në ato zona. Do të thosha që nuk do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Pavarësisht që jemi në moment që na duhej kjo fitore, do të vazhdojmë përpara për ta ruajtur diferencën që e kemi me ndjekësit”, ka thënë fillimisht ai.

“Skuadra ka ndërtuar gjithçka deri në këto momente dhe nuk ka të bëj me presion. Ne natyrshëm kishim ardhur për trepikësh, humbëm penalltinë dhe pranuam një gol që mund të ishte çështje fati. Besoj se duhet të ishim më gjakftohtë. Presim që gjithë kontingjenti të kthehet këtë javë sepse kemi pasur problem në javën që shkoi”, ka deklaruar Daja.

Të shtunën Ballkani e Ulpiana barazuan 1:1 në Lipjan, në kuadër të xhiros së 30-të.