Sport

Tenistëve rusë e bjellorusë iu ndalohet pjesëmarrja në Wimbledon

tenis, ukraina, rusia, bjellorusia, sporti, 20 prill, tenist

Tenistëve rusë dhe bjellorusë iu është refuzuar pjesëmarrja në turneun grand slam Wimbledon.

Në njoftimin e publikuar të mërkurën pasdite nga organizatori, thuhet se vendimi vjen pas udhëzimeve të Qeverisë së Britanisë për organizimet dhe ngjarjet sportive.

“Në rrethanat e një agresioni ushtarak të tillë të pajustifikuar dhe të paprecedentë, do të ishte e papranueshme për regjimin rus që të përfitonte nga përfshirja e lojtarëve rusë ose bjellorusë në turne. Prandaj me keqardhje të thellë, është vendimi ynë që t’i refuzojmë pjesëmarrjet nga lojtarët rusë dhe bjellorusë në Kampionatin 2022”.

Kreu i klubit "All England" që edhe e organizon Wimbledonin, deklaroi se e kupton se vendimi është i rëndë për ata që vuajnë për shkak të veprimeve të udhëheqësve të regjimit rus.

“I kemi shqyrtuar me shumë kujdes masat alternative që mund të ndërmerren në kuadër të udhëzimeve të Qeverisë së Britanisë, duke pasur parasysh mjedisin e profilit të lartë të Kampionatit”, ka thënë ai.

Numri dy i botës te meshkujt, rusi Daniil Medvedev dhe numri katër në konkurrencën e femrave, Aryna Sabalenka, e Bjellorusisë, janë sportistët më së miri të renditur e që janë prekur nga ky përjashtim.