Sport

Juventusi barazon mes polemikave me Bolognan pa dy lojtarë

Juventusi nuk ka arritur më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Bolognas 1:1.

“Zonja e Vjetër” e dominoi ndeshjen, por nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në këtë sfidë.

Bologna kaloi në epërsi në minutën e 52-të me Marko Arnautoviq për 1:0.

Bologna mbeti me dy lojtarë më pak në fushë në minutën e 84-të pasi Adama Soumaoro dhe Gary Medel u ndëshkuan me karton të kuq. Gjyqtari kishte dhënë fillimisht përparësi për aksionin e Juves, ku Juan Cuadrado goditi shtyllën, por më pas vendosi ta rishikonte situatën në VAR, çka nxiti reagime të shumta te lojtarët mysafirë. Fillimisht, Soumaoro u ndëshkua me të kuq pasi ndërhyri si lojtar i fundit e më pas Medel për portesta.

Juventusi arriti ta barazonte rezultatin në minutat shtesë të ndeshjes me Dusan Vlahoviq në 1:1.

Me këtë barazim Juventusi mban pozitën e katërt me 63 pikë. Bologna mban pozitën e 13-të me 38 pikë.