Sport

Tifozët e Unitedit planifikojnë protesta të vazhdueshme kundër familjes Glazer

Tifozët e Manchester Unitedit po planifikojnë një protestë kundër familjes Glazer, pronarëve të gjigantit anglez të futbollit, të shtunën.

Një grup mbështetësish i quajtur “The 1958” ka organizuar një marshim në shenjë proteste që do të përfundojë në stadiumin “Old Trafford” para fillimit të ndeshjes në Premier League ndaj Norwichit. Ky grup po përpiqet që të ketë mbështetje sa më të madhe në këtë marshim, shkroi në “Twitter” se “klubi është në rrëmujë, kështu që ne duhet të veprojmë” dhe tha se protesta e së shtunës do të ishte “fillimi i protestave të vazhdueshme, të pamëshirshme, paqësore dhe ligjore” kundër familjes Glazer.

Në prill të vitit të kaluar, disa tifozë të Unitedit sulmuan bazën stërvitore të klubit në Carrington dhe shumë të tjerë më pas hynë në “Old Trafford” përpara një ndeshjeje me dyer të mbyllura në Premier League kundër Liverpoolit, duke e detyruar ndeshjen të shtyhej. Unitedi ka qenë nën pronësinë e familjes Glazer me bazë në Amerikë që nga një blerje e diskutueshme në vitin 2005.

Familja Glazer nuk është pëlqyer kurrë nga tifozët e Unitedit, por reputacioni i tyre ra në një nivel të ri pas rolit të tyre kryesor në tentativën e nisjes së Superligës Evropiane. Bashkëkryetari i Unitedit, Joel Glazer u emërua nënkryetar i ligës së shkëputur, e cila u rrëzua menjëherë pas fillimit në vitin e kaluar, kur të gjashtë klubet e përfshira të Premier Leagues u tërhoqën përballë reagimit të furishëm publik. Shumë tifozë të Unitedit fajësojnë familjen Glazer për rënien e klubit në fushë.

Unitedi nuk ka fituar titull kampioni që nga sezoni 2012/13, ndërsa në pesë sezonet e fundit nuk ka rrëmbyer asnjë trofe. Këtë sezon, Unitedi shkarkoi trajnerin Ole Gunnar Solskjaer në nëntor të vitit të shkuar dhe ka rënë në vendin e shtatë në Premier League nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick.

Nënkryetari ekzekutiv i klubit, Ed Woodward u zëvendësua nga Richard Arnold në shkurt të këtij viti. Unitedi është 23 pikë prapa liderit të Premier Leagues, Manchester City kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të sezonit. Po ashtu, Unitedi është edhe jashtë zonës që sezonin tjetër garanton pjesëmarrjen në garat evropiane, pasi renditet në pozitën e shtatë në tabelë.