Sport

Basketboll, Prishtina fiton në Rahovec

Descriptive Text

Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e fundit të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma Prishtina e mposhti Rahovecin në “Mizahir Isma” me shifrat 85:79. Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos në aksionet e fundit.

Në fakt Prishtina fitoi çerekun e parë e po ashtu të dytin. Pas 20 minutave lojë kishte epërsi prej 49:39. Epërsia e Prishtinës ishte vazhdimisht e lartë, por Rahoveci u kthye në lojë në minutat e fundit.

Barazoi rezultatin në 75:75 e më pas edhe kaloi në epërsi prej 79:75. Por më nuk shënoi, ndërsa skuadra prishtinase realizoi dhjetë pikë për fitoren 85:79.

Jan Palokaj ishte më i miri te Prishtina me 19 pikë e gjashtë kërcime. 18 pikë i shënoi Wendell Mitchell.

Makol Mawien ishte më i miri te Rahoveci me 25 pikë e 12 kërcime. TJ Dunans shënoi 20 pikë, ndërsa i kishte edhe shtatë asistime e katër kërcime.

Prishtina me këtë fitore përforcohet në pozitën e pestë me 39 pikë. Rahoveci mbetet i gjashti me 37 pikë dhe duhet ta konfirmoi këtë pozitë në dy xhirot e fundit.