Sport

Shaqiri, një nga pesë lojtarët që është stërvitur me Guardiolën e Kloppin

Shaqiri, një nga pesë lojtarët që është stërvitur me Guardiolën e Kloppin

Vetëm pesë lojtarë në të gjithë botën e futbollit kanë arritur që ta kenë fatin të jenë nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola dhe Juergen Klopp. Në mesin e këtyre pesë futbollistëve është edhe Xherdan Shaqiri, futbollisti shqiptar që përfaqëson Zvicrën.

Shaqiri ishte i pëlqyer shumë nga trjaneri Heynckes te Bayerni, ndërsa në sezonin e parë me Guardiolën pati shumë lëndime dhe në mesin e sezonit të dytë me të, u transferua te Interi. Pas gjashtë muajsh lëvizi drejt Stoke Cityt dhe atëherë kur u mendua se karriera e tij ka përfunduar, u arrit marrëveshja me Liverpoolin që për trajner e kishte Kloppin. Ai nuk ishte titullar, por e fitoi Ligën e Kampionëve, njësoj siç kishte bërë me Heynckesin. Me Guardiolën, Shaqiri në 42 ndeshje ka shënuar nëntë gola e gjashtë asistime, ndërsa e fitoi Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për klube.

“Ai është trajner i shkëlqyer sa i përket fushës, por komunikimi i tij nuk është në nivel. Ai nuk jep shpjegime për largimin e lojtarëve dhe kjo është e vështirë, sidomos kur je duke punuar mirë. Dhe në veçanti kur në prani të mediave ai thotë ‘Ai është i mirë, ai është lojtar i mirë’”, kishte thënë Shaqiri për Guardiolën.

Ndërkohë, me Kloppin, Shaqiri në 63 ndeshje pati tetë gola të shënuar, nëntë asistime, Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për klube.

“Kur doja të largohesha nga Liverpooli, kam folur me trajnerin dhe u zgjodh gjithçka. Ai më tha se jam lojtar i mirë dhe djalosh i mirë. E kuptoi se desha të përballem me sfidë të re dhe Kloppi më ndihmoi në këtë”, ishte shprehur Shaqiri pas largimit nga Liverpooli.

Katër lojtarët e tjerë që kanë punuar me Guardiolën e Kloppin janë Ilkay Gundogan, Robert Lewandowski, Mario Goetze dhe Thiago Alcantara.