Sport

Pse sulmuesit po përmirësohen me moshën?

Kur kalojnë moshën 30-vjeçare shumica e futbollistëve bëhen gati për karrierën pas asaj të lojtarit. Është koha për ta menduar largimin nga futbolli i luajtur. Aftësitë fizike zakonisht janë në rënie dhe përballja e ngarkesave maksimale bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Por, në epokën e dhomave të akullta dhe terapive të placentës, sulmuesit e “plakur” po mbizotërojnë listat e golashënuesve në Evropë. Robert Lewandowski (33) është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve këtë edicion dhe ai tashmë ka shënuar më shumë se 30 gola në Bundesligë; Ciro Immobile (32) është golashënuesi më i mirë në Serie A; Karim Benzema (34) është në krye të grupit në La Liga; dhe Wissam Ben Yedder (31) është golashënuesi më i mirë në Ligue 1.

Mirëpo, si po vazhdojnë këta sulmues veteranë të lulëzojnë në muzgun e karrierës së tyre?

Sportistët duhet të arrijnë kulmin e fuqive të tyre në mesin e të 20-ave dhe më pas të nisin një rënie të pakthyeshme. Kjo lidhet me të dhënat e nxjerra nga libri i rekordeve të Premier Leagues. Gjatë mesit të viteve 1990, një grup sulmuesish anglezë ofruan një epokë të artë me një pasion të përbashkët për golat, festimet e thjeshta dhe vendosjen e rekordeve në të 20-tat e tyre.

Andy Cole, i treti në listën e golashënuesve më të mirë në Premier League, rekordin prej 41 golash në edicion, e regjistroi në moshën 23-vjeçare, në edicionin 1993/1994. Pasi mbushi 30 vjet, Cole më së shumti realizoi 13 gola në edicion.

Michael Owen nuk e ka përmirësuar kurrë rekordin prej 28 golave që i shënoi për Liverpoolin kur ishte 24-vjeçar. Robbie Fowler shënoi 36 gola në edicionin 1995/96 kur ishte 21-vjeçar – një shifër që nuk do ta kalonte kurrë. Ai nuk arriti shifrën e dhjetë golave kur mbushi 30 vjet. Pastaj është golashënuesi më i mirë në historinë e Premier Leagues, Alan Shearer, i cili pati edicionin e tij më të frytshëm më 1994/95, duke shënuar 34 gola në moshën 25-vjeçare.

“Lojtarët e rinj kanë lëndët e para - ritmin, fuqinë, forcën, qëndrueshmërinë - kjo është arsyeja pse shpesh i shihni ata të shpërthejnë në skenë”, thotë Nick Grantham, një specialist për përmirësimin e performancës që punon me lojtarët e Premier Leagues. “Pastaj ata përjetojnë pak rënie kur intensiteti i konkurrencës rritet. Lojtarët më të mirë luajnë çdo tre deri në katër ditë, duke arritur shpejtësi maksimale dhe duke mbuluar distanca të mëdha. Për të vazhduar rikuperimin nga kjo, është sfiduese”.

Të gjitha përplasjet, sprintet, gjuajtjet dhe goditjet me kokë ndikojnë te lojtarët mbi 30 vjeç. Ato goditje të vogla shndërrohen në ngatërresa afatgjata.

“Mund të kesh një dëmtim shumë të vogël si një lojtar i ri, por me të hyrë në të 30-tat ai problem i vogël i kërcit në gju bëhet më i theksuar”, thotë ish-drejtori i shkencës së performancës në Southampton, Mo Gimpel. “Nëse i keni rrotulluar kyçet e këmbëve 10-12 herë në karrierën tuaj, kyçi përfundimisht do të bëhet i paqëndrueshëm dhe do të fillojë të dhembë. Aftësia për t'u shëruar zvogëlohet dhe dhimbja bëhet e tepërt”.

Përparimet shkencore u kanë dhënë lojtarëve njohuritë që u nevojiten për t’i ngadalësuar efektet e plakjes dhe një gjeneratë e re trajnerësh i kanë përqafuar këto metoda dhe i kanë inkurajuar lojtarët e tyre që të dëgjojnë trupin e tyre në vend që të përpiqen ta “përfundojnë atë”.

“Banjat me akull tashmë janë zëvendësuar me dhomat që e ekspozojnë të gjithë trupin ndaj temperaturave deri në -150°C. Kjo ndihmon në rikuperimin duke reduktuar dhimbjen dhe inflamacionin e muskujve”, thotë Gimpel.

Lojtari modern po mbaron akademinë pasi është arsimuar për fitnes dhe ushqim. Klubet e natës janë zëvendësuar nga grupet në “WhatsApp” që japin këshilla stërvitore dhe plane diete. Futbollistët janë bërë më profesionistë.

“Tani keni një racë tjetër sportistësh”, shpjegon Grantham. “Futbollistët modernë, veçanërisht sulmuesit, tani janë sportistë. Shkenca sportive është pjesë e arsyes pse lojtarët mund të bëjnë atë që po bëjnë në të 30-at e tyre – ushqimi dhe përgatitja fizike kanë qenë pjesë e jetës së tyre që nga dita e parë”.

Për të shmangur daljen në pension, ata transformojnë stilin e tyre të jetesës.

Jamie Vardy, i cili ka shënuar 94 nga 128 golat e tij në Premier League derisa ishte në të 30-tat, ushqehet kryesisht me perime. Lewandowski punëson një trajner gjumi dhe pi lëng panxhari. Cristiano Ronaldo vesh këpucë me thumba të ragbit që rrisin shpejtësinë.

Efektet e dëmshme të pijeve alkoolike nuk kanë qenë kurrë një problem për Zlatan Ibrahimoviqin. 40-vjeçari është një mrekulli fizike pjesërisht, sepse ai nuk është “dehur shumë herë”. Kur iu bashkua Manchester Unitedit në vitin 2016, në moshën 34-vjeçare, ai theu rekordin e klubit për prodhimin e energjisë gjatë ekzaminimit mjekësor. Ai e përfundoi edicionin si golashënuesi më i mirë, duke fituar Ligën e Evropës dhe Kupën e Ligës.

Kur u kthye në Milano në vitin 2020, ai e ktheu në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas shtatë vjetësh, me 15 gola në 19 ndeshje në Serie A.

“Nëse ka ndonjë projekt që më stimulon, mund të luaj në të njëjtin nivel deri në moshën 50-vjeçare”, tha Ibra.