Sport

Paqarada flet për Kosovën dhe ëndrrën për të luajtur në Bundesligë

Leart Paqarada me krenari thotë se e ka zgjedhur fanellën më të bukur të ndonjë përfaqësueseje dhe se këtë zgjedhje e ka bërë me zemër. Në fakt, Paqarada ka pasur të drejtë të paraqitet edhe për Gjermaninë e Shqipërinë. Gjermania nuk e kishte në plan, kurse ai vendosi për Kosovën.

Megjithëse llogaritet pjesë e Kosovës, ai nuk është grumbulluar një kohë të gjatë. Ka pasur pakënaqësi mes tij e përzgjedhësit Bernard Challandes.

Tash në krye të Kosovës është francezi Alain Giresse, që ka thënë se po e përcjellë formën e Paqaradës dhe se ka mundësi që ta grumbullojë në të ardhmen.

“E kam zgjedhur federatën që ka fanellat më të bukura. Jo, t’i lëmë shakatë anash. Kur isha i ri kam pasur ofertë nga trajneri i atëhershëm i Gjermanisë, Steffen Freund, të cilën me krenari e pranova. Më pas jam kontaktuar nga Shqipëria kur isha, po ashtu, i ri, 18-vjeçar. Kur u bëra profesionist, infrastruktura futbollistike u ndërtua në Kosovë. Ishte zgjedhje e zemrës, sepse prindërit i kam nga Kosova. Nuk jam bërë pishman asnjëherë për këtë zgjedhje. Kanë qenë momente shumë të mira ndeshjet me Kosovën në kualifikueset e para të Kampionatit Evropian dhe Botëror”, ka thënë Paqarada të premten në një intervistë për “deichstube.de”.

Në nivel klubesh, Paqarada është zhvilluar te Werder Bremeni. Pikërisht ndaj kësaj skuadre, Paqarada do të luajë me St. Paulin të shtunën nga ora 13:30, në kuadër të xhiros së 29-të të Bundesliga 2. St. Pauli është i treti me 51 pikë, ndërsa Werderi është lider me një pikë më shumë.

Paqarada në vitin 2003 i ishte bashkuar Bayer Leverkusenit, kurse njëmbëdhjetë vjet më vonë ishte transferuar te Sandhauseni. Me asnjërën prej këtyre skuadrave nuk ka luajtur në Bundesligën gjermane. Synon ta bëjë këtë me St. Paulin.

“Ende kam simpati për këtë klub. Kam filluar të luaj futboll ende pa i mbushur katër vjet dhe Werderi ishte klubi im i parë. Luajta aty deri në moshën nëntëvjeçare”, ka thënë Paqarada 27-vjeçar, që ka kompletuar 200 ndeshje në rangun e dytë të futbollit gjerman.

Në edicionin aktual ka shënuar tre gola dhe ka dhjetë asistime në 32 ndeshje në të gjitha garat.

“Bundesliga 2 është shumë e vështirë. Çdokush mund ta mposhtë gjithkënd, çdo ndeshje është e paparashikueshme. Kërkohet shumë në aspektin fizik. Shumë vrapime e agresivitet. Por është futboll sfidues dhe atraktiv. Kjo ligë e dytë mund të shihet në Evropë dhe në të gjithë botën. Sivjet është liga e dytë më e fortë që Gjermania ka parë ndonjëherë. Dhe në nivel ndërkombëtar, vetëm Anglia me ‘Championshipin’ mund të jetë e barabartë”, është shprehur majtaku.

Paqarada ka shpresë të madhe se do të luajë me St. Paulin në Bundesligë. Skuadra e tij, pas Werderit, do t’i ketë edhe tri ndeshje të vështira, me konkurrentë të fortë për t’u inkuadruar në Bundesligë.

“Nuk ka rëndësi kjo gjë. Edhe lideri i tabelës mund të lëshojë pikë me vendin e fundit. Nëse dëshiron të ngjitesh në ligë, duhet t’i fitosh duelet me kundërshtarët direkt. Të shtunën duhet të jemi prezentë në ndeshje dhe ta fitojmë atë. Stadiumi do të jetë plot, ndeshje e fortë ndaj një kundërshtari të madh. Shpresojmë të krijojmë ndeshje intensive, ky është plani”, përfundoi Paqarada.