Sport

Osmani: Ademi nuk pranoi të kishte kundërkandidat

Descriptive Text

Drejtori i KF Prishtinës, Artan Osmani, deklaroi se sot nuk mori pjesë në procesin e zgjedhjes e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës për shkak se nuk ishte pranuar propozimi i tij, Gramoz Vokrri.

Osmani tha në “60 Minuta” të KTV-së se procesi i së mërkurës ishte i çuditshëm për shkak se u ndaluan mediat të marrin pjesë dhe sipas tij, nuk doli asnjë pamje brenda sallës ku mbahej procesi.

“Sipas Statutit, lejohet me 15 nënshkrime. Mund të zgjidhet vetëm një kandidat. Pjesa kontestuese ka qenë mosrespektimi i rregullave dhe mospranimi i kandidatit tonë. Ne kemi deklaruar se i kemi pasur vetëm 15 nënshkrime, e gjasat kanë qenë të vogla që të fitojë Gramoz Vokrri”, tha Osmani.

Sipas tij, kryetari i rizgjedhur i FFK-së, Agim Ademi, nuk ka pranuar të ketë kundërkandidat, e kjo sipas Osmanit, ia lehtësoi Ademit rimarrjen e postit.

“Mendojmë se në Kosovë ka njerëz që mund ta udhëheqin më mirë futbollin dhe t’i zgjidhin disa probleme. Pse duhet të votojmë një kandidat që të paktën në 2-3 javët e fundit ka qenë në burg. Kjo e lëndon kredibilitetin e të gjithë neve”, tha ai.