Sport

Guardiola shumë i kënaqur me paraqitjen

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është ndarë i kënaqur me paraqitjen ndaj Atletico Madridit. City fitoi 1:0 në shtëpi, të martën mbrëma, në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit.

Guardiola është pyetur nëse është i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij.

“Shumë”, është përgjigjur ai. “Kemi luajtur ndaj një ekipi të jashtëzakonshëm, me të cilin është e vështirë të përballesh. Është rezultat i mirë. Kemi pasur raste për ta shënuar golin e dytë dhe të tretë”, ka shtuar Guardiola.

Ai ka thënë se lojtarët po luanin mirë.

“Por e kemi ditur se Gabriel Jesus dhe Phil Foden kanë energji shtesë dhe Jack Grealish ka cilësinë për ta mbajtur topin. Kur bëjmë zëvendësimet e bëjmë këtë pasi mendojmë se do të jetë më mirë. Ndonjëherë funksionon, por ndonjëherë jo. Në Champions nuk është e lehtë të përballesh me një ekip me përvojë. Ne do të shkojmë në Madrid për të shënuar gol dhe të tentojmë të fitojmë sërish”.