Sport

Prishtina mposhtet në udhëtim te Hapoel Galil Elioni

Descriptive Text

Sigal Prishtina është mposhtur në Ballkan Ligë.

Të martën mbrëma, kryeqytetasit pësuan disfatë 95:84 në udhëtim te skuadra izraelite, Hapoel Galil Elion.

Izraelitët tani kanë katër fitore e dy disfata, dhe avancojnë në fazën tjetër të garës nga Grupi C.

Ndërkohë, Sigal Prishtina që ka tri fitore e dy disfata, do të luajnë të enjten sërish në udhëtim, në Sofje, kundër Levskit. Do të jetë edhe takim që do të vendos se cila skuadër do të përfundojë në vendin e dytë e cila në të tretin.

Prishtina e humbi çerekun e parë 31:20, dhe deri në fund të ndeshjes nuk arriti që të kthehej në lojën e vet, me vendësit që nuk lejuan befasi.

Në pushim, skuadra vendëse pati avantazh prej 19 pikëve.

Te Prishtina, Jan Palokaj ishte më efikasi me 22 pikë, 5 kërcime e pesë asistime. Pikë dyshifrore pati edhe Wendell Mitchell, 18 gjithsej, kurse Muhamedali Janjeva realizoi 14 të tjera, por që nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen.

Te vendësit, më i miri mbi parket ishte Nimrod Levi me 20 pikë, i përcjellë nga Chavaughn Lewis, me 17 sosh.