Sport

Kthehen përplasjet në komunitetin e notit, KAS-i vendos pro klubeve që paditën Federatën

Janë kthyer përplasjet në komunitetin e notit në Kosovë. Ka kohë që në sportin e notit ka ndasi, ndërsa punë së fundi kishte edhe Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS) i Komitetit Olimpik të Kosovës.

KAS-i më 24 mars ka aprovuar një padi të gjashtë klubeve që e kishin paditur Federatën e Notit të Kosovës.

Komiteti Olimpik i Kosovës vetëm të hënën ka publikuar vendimin e KAS-it, ndërsa të martën në lokalet e klubit prishtinas STEP u mbajt një konferencë për shtyp. STEP-i ka kohë që është në krye të klubeve të pakënaqura me Federatën.

Klubet Aloha, Delfini, Illyria, Rainca, Niko dhe Hajvalia i ishin drejtuar me padi KAS-it për mosanëtarësimin e tyre nga Federata e Notit e Kosovës, ka njoftuar KOK-u. Dhe vendimi i këtij organi është pro klubeve.

“Aprovohet në tërësi si e bazuar padia e paditësve, përfaqësuar nga Besart Shala dhe Agron Zeqiri. Obligohet e paditura, e përfaqësuar nga Astrit Haliti, që të pranojë dhe të regjistrojë gjashtë klubet e notit si anëtare me të drejta të plota në FNK, menjëherë pas pranimit të këtij vendimi”, thuhet, ndër të tjera, në vendimin e KAS-it.

Udhëheqësi i klubit STEP, Agron Zeqiri, që po ashtu ishte përfaqësues i gjashtë klubeve, ka thënë në konferencë për shtyp se Federata nuk po e zbaton vendimin e KAS-it.

“Është zgjedhur një kryesi që nuk ka marrë për bazë gjashtë klubet e notit që e kanë fituar të drejtën për të qenë anëtare të Federatës. Ne kemi një vendim të prerë të KAS-it, në të cilin është vendosur që gjashtë klubet të pranohen si anëtare me të drejta të plota në FNK, menjëherë pas pranimit të këtij vendimi. Vendimi është i 24 marsit dhe është rasti i parë që KAS-i ka sjellë një vendim të tillë. Është organ i KOK-ut dhe vendimet e tij janë të prera. Nuk ka askush mandat në Kosovë që t’i kontestojë dhe mos t’i implementoj”, ka thënë Zeqiri.

Për një kuvend të FNK-së të mbajtur “online” më 28 mars, ai ka thënë se ishte i trukuar.

“Pika pesë e rendit të ditës ka qenë vendimi i KAS-it për t’i anëtarësuar gjashtë klubet. Por kjo është hedhur në vota, përkundër asaj që nuk kanë mandat për të votuar vendimet e arbitrazhit. Me këtë i kanë dhënë kahe të gabuar Federatës që është futur në një pozitë dhe ne kërkojmë reagimin zyrtar të institucioneve të Kosovës që të zbatojnë ligjin konform mandatit që kanë”, ka shtuar Agron Zeqiri i KN STEP.

Në konferencë kanë folur edhe Enver Hajredini, Emine Llalloshi dhe Bashkim Haxhimusa, që kanë lëshuar akuza në drejtim të Federatës.

Ndërkohë, Astrit Haliti, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës, ka thënë se është duke e përgatitur një reagim pas vendimit të KAS-it dhe zhvillimeve të fundit.

“Sa i përket vendimit të KAS-it, Kuvendi i Federatës nuk ka refuzuar vendimin. Ka kërkuar që të shteren të gjitha rrugët ligjore për të vërtetuar se një vendim i tillë është i drejtë apo me tendencë. Për të gjitha vendimet e Kuvendit do të informoheni me kohë ju dhe të gjithë partnerët e Federatës, pasi që Kuvendi është i incizuar në tërësi dhe në momentin e përgatitjes së materialeve do t’i ndajmë me të gjithë partnerët e Federatës”, ka thënë Haliti.

FNK-ja së fundi ka pasur pakënaqësi me punën e KOK-ut dhe ka kërkuar votëbesim për drejtuesit e Komitetit Olimpik. Por kërkesa nuk u pranua.