Sport

Prishtina paralajmëron bojkotimin e Kuvendit zgjedhor të FFK-së

Klubi i futbollit Prishtina nuk do të marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

FFK-ja ka njoftuar të martën se Kuvendi Zgjedhor do të mbahet të mërkurën (11:00) në selinë e FFK-së.

Kandidat i vetëm për kryetar të FFK-së do të jetë ai aktual, Agim Ademi.

Prishtina mbështeti Gramoz Vokrrin për kryetar. Por FFK-ja nuk ka lejuar kandidimin e Vokrrit me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet.

“Prishtina nuk merr pjesë në Kuvendin zgjedhor. Asnjëri prej delegatëve të nënshkruar nuk do të marrë pjesë. Na kanë larguar, nuk na kanë pranuar nënshkrimet e as ndërrimin e delegatëve. Ata në FFK po vendosin çfarë po duan dhe le të vendosin edhe kësaj radhe pa neve. Komisioni, thonë se ka vendosur t’ia mohojë të drejtën e kandidimit Gramozit, por asnjëherë nuk kanë treguar se kush është në atë komision. Nuk kemi pse të marrin pjesë në një Kuvend ku të tjerët vendosin për ne”, ka thënë aksionari më i madh i klubit Prishtina, Rrahman Haradini të martën për KOHËN.

Edhe kryetari i klubit Prishtina, Remzi Ejupi të dielën e shkuar në emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total”, tha se klubi me më së shumti trofe nuk do të marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor.