Sport

Jamas Musiala, xhevahiri adoleshent në mesfushën e Bayernit

Muenchen, 5 prill - Ai mbushi vetëm 19 vjet në shkurt, por Jamal Musiala po e dëshmon të jetë xhevahiri i gjithanshëm adoleshent në mesfushën e Bayernit, i cili refuzoi Chelsean në favor të një rikthimi në Gjermani – vendi i tij i lindjes. Kur Bayerni përballet me Villarrealin në ndeshjen e parë të çerekfinales të Ligës së Kampionëve të mërkurën, Musiala mund të vendoset ose si mesfushor sulmues ose mbrojtës.

“Ai mund të pasurojë çdo skuadër, përfshirë Bayernin dhe Përfaqësuesen”, tha trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick. “Ai di të afirmohet, krijon hapësirë, është shumë i mirë në situatat një me një dhe mund të driblojë me shpejtësi”.

Musiala hyri në ekipin e parë të Bayernit sezonin e kaluar si një mesfushor sulmues, por që duhej të angazhohej edhe në mbrojtje. Ai lindi në Stuttgart, por u shpërngul me familjen e tij në Angli si fëmijë dhe u ngrit në akademinë e Chelseat përpara se t'i bashkohej Bayernit në vitin 2019. Pavarësisht se luajti për Përfaqësuesen U21 të Anglisë në vitin 2020, ai zgjodhi të luante futboll të lartë për Gjermaninë.

Debutimi i tij i plotë për Gjermaninë pasoi në muajin mars të vitit 2021. Shtatorin e kaluar, legjenda e Gjermanisë, Lothar Matthaeus, tha se Musiala mund të bëhet “një Neymar i dytë”, pasi adoleshenti mahniti me një gol dhe një asistim për t’ia siguruar Bayernit fitoren ndaj Leipzigut. Adoleshenti me fizik të dobët po quhet me nofkën “Bambi” nga shokët e skuadrës, por ai ka treguar një anë më luftarake të tij prejse është zhvendosur në një rol më të thellë si për Bayernin ashtu edhe për Gjermaninë në javët e fundit.

“Ai kapi shumë topa”, tha trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, pasi Musiala hyri në lojë për të ndihmuar Bayernin të fitonte 4:1 në Freiburg të shtunën. “E quajnë ‘Bambi’, por ka agresivitet të mirë”.

Nagelsmann zbuloi se Musiala “mendoi se po bëja shaka” kur i sugjeroi atij në fund të vitit të shkuar që të përpiqej të luante në një pozicion më mbrojtës. E kjo ka rezultuar të jetë një lëvizje e frymëzuar me Musialan që e zëvendësoi Leon Goretzkan, i cili për shkak të lëndimit të kofshës mbeti katër muaj jashtë fushës. Flick e nisi Musialan si mesfushor sulmues në fitoren 2:0 të Gjermanisë ndaj Izraelit në ndeshjen miqësore muajin e shkuar, më pas e tërhoqi prapa për barazimin 1:1 ndaj Holandës. Musiala është mjaft modest sa të dijë se ka shumë për të mësuar nga Flicku dhe Nagelsmanni.

“Në rolin e numrit gjashtë duhet të jem pak më i zgjuar dhe të kem më shumë disiplinë”, tha Musiala. “Kam bërë mirë kohët e fundit, por kam ende shumë për të përmirësuar”.

Musiala u mbërthye në betejën qendrore të mesfushës në Amsterdam kundër një skuadre me përvojë të Holandës dhe u përball me sukses me yllin e Barcelonës, Memphis Depay.

“Ai mund ta mbajë topin në hapësirat më të ngushta”, tha Ilkay Guendogan, i cili ishte partner i Musialas kundër holandezëve. “Edhe pse duket i dobët, ai është aq inteligjent sa të përdorë gjithmonë trupin e tij në mënyrën e duhur”.

Për Bayernin, Nagelsmann e vlerëson Musialan si zgjedhjen e parë për të operuar menjëherë pas sulmuesit Robert Lewandowski sa herë që Thomas Mueller nuk është në dispozicion për lojë.

Megjithatë, trajneri i Bayernit e sheh Musialan si mesfushorin perfekt, një “magnet topi me aftësi teknike që vetëm disa i kanë” në mbrojtje apo sulm. Nagelsmann thotë se Musiala duhet të kalojë ende një “proces të pjekurisë” dhe mund të jetë ende “pak më shumë i gjallë” me topin. Ai la të kuptohej se Musiala mund të startojë në Villarreal me Goretzkan, i cili shënoi në Freiburg të shtunën, vetëm sapo u kthye pas një periudhe të gjatë jashtë fushe.

“Nuk ka asnjë garanci se Musiala do të luajë, por Leoni nuk mund të luajë çdo tri ditë”, tha Nagelsmann, “kështu që jam i lumtur që kemi alternativën dhe që mund të ndryshojmë”.