Sport

Klopp i kërkon Liverpoolit ta pranojë sfidën - ndjekjen e katër trofeve

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, është kthyer në Lisbonë këtë javë për një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Gjermani ka kujtime të mira nga ky vend.

Pikërisht në Lisbonë ai mori një telefonatë që ia ndryshoi jetën. Pa punë, pasi ishte largua nga Borussia Dortmund disa muaj më parë, Klopp ishte duke vizituar kryeqytetin portugez me familjen e tij në vjeshtën e vitit 2015, kur pranoi një thirrje në celular teksa ishte ulur jashtë një kafeneje. Ishte agjenti i tij.

“Është Liverpooli”, u tha Klopp, disi i emocionuar, dy djemve të tij.

Ata kishin dëgjuar thashethemet për interesimin e Liverpoolit për babanë e tyre, por Klopp nuk kishte dëgjuar. Atij nuk iu desh të mendohej dy herë për ofertën që i vinte.

“Ishte e qartë se do ta pranonim. Thjesht, e ndjeva që në sekondën e parë”, tha Klopp të hënën.

Dhe, çfarë përputhjesh perfekte kanë qenë Kloppi dhe Liverpooli deri më tani? Nën drejtimin e trajnerit gjerman klubi anglez ka rifituar atmosferën e frikshme që kishte në vitet 1980. Kampion i Anglisë në vitin 2020, për herë të parë në 30 vjet. Kampion i Evropës në vitin 2019, për të gjashtën herë në histori. Liverpooli ka qenë gjithashtu kampion bote për klube nën drejtimin e Kloppit. Këtë herë mund t’i marrë të gjitha dhe të jetë edicioni më i suksesshëm i Kloppit në krye të Liverpoolit. Klubi është futur në muajin prill dhe ende është në garë për të fituar katër trofe të mëdhenj, arritje kjo që asnjë skuadër nga Anglia nuk e ka pasur.

League Cup tashmë është fituar, ndërsa Liverpooli është në gjysmëfinale të Kupës FA. Është një pikë prapa Manchester Cityt që prin në Premier League dhe luan kundër Benficas të martën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Ne vetëm duam ta bëjmë këtë sezon të paharrueshëm. Gjërat po shkojnë shumë mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm, ndonëse asgjë nuk ka të garantuar”, pranoi mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk.

E gjithë kjo po mbikëqyret nga Klopp, fytyra e pasionuar, e vendosur dhe nganjëherë e çuditshme e klubit. Ai ka shansin për ta udhëhequr Liverpoolin drejt arritjes më të madhe ndonjëherë. Dhe kjo thotë shumë, duke marrë parasysh historinë e tij të pasur të fitimit të trofeve. Klopp në dy muajt e ardhshëm do të përpiqet ta udhëheqë Liverpoolin në tri garat me ndeshje të mëdha që do të luhen pothuajse çdo tri apo katër ditë. Mes dy ndeshjeve me Benfican, Liverpooli do të përballet në kampionat me Cityn. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën. Me pas do ta ketë edhe një ndeshje tjetër kundër Cityt, në gjysmëfinale të Kupës FA, e ndjekur nga ndeshjet e ligës ndaj Manchester Unitedit dhe Evertonit, rivalët historikë më të mëdhenj të Liverpoolit. Pas kësaj mund të vijnë disa ndeshje në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. E mesazhi i Kloppit për lojtarët e tij është i thjeshtë - shijojeni.

“Nuk kemi asnjë problem me faktin se luftojmë në shumë fronte. Gjithçka është mirë”, tha ai. “Është një situatë që do ta kishim ëndërruar para fillimit të edicionit. Ne jemi këtu tani. Le të përpiqemi ta shfrytëzojmë sa më shumë”.

Edhe holandezi Van Dijk thotë se Liverpooli ka një mundësi të mirë ta mbyllë sezonin me katër trofe.

“Ne jemi ende në të gjitha garat, po luajmë mirë dhe kemi mundësi të fitojmë të gjithë trofetë. Kështu që do të pranojmë sfidën dhe ta shijojmë këtë rrugëtim deri në fund të sezonit”, tha Van Dijk.