Sport

FFK-ja publikon vendime të gjykatës, që sipas saj legjitimojnë Kuvendin e 6 prillit

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) publikoi të hënën dy vendime të gjykatës. Sipas interpretimit të FFK-së, ato legjitimojnë Kuvendin Zgjedhor të caktuar më 6 prill, pra për të mërkurën.

Por vendimet e publikuara nga FFK-ja, përfaqësuesi ligjor i Gramoz Vokrrit, Arbër Krasniqi, ka thënë se ende nuk i ka pranuar. Ai thotë se nuk ka marrë kurrfarë vendimi prej Gjykatës Themelore në Prishtinë.

FFK-ja në faqen zyrtare të saj ka publikuar vetëm nga një faqe të dy vendimeve. Vendimi i parë është i 29 marsit, kurse tjetri i 1 prillit.

Avokati Krasniqi javën e kaluar ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër FFK-së për ndalimin e kandidimit të Gramoz Vokrrit për kryetar të Federatës. Ai ka kërkuar pezullimin e vendimit për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të FFK-së.

“Ende nuk e kemi pranuar vendimin”, ka thënë shkurt për KOHËN avokati Krasniqi, pa komentuar dokumentet e publikuara nga FFK-ja.

FFK-ja ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vendimet e saj ka konfirmuar ligjshmërinë e thirrjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor për kryetar të FFK-së, i caktuar për 6 prill.

Sipas letrës së publikuar nga FFK-ja, ishte Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore që e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit Gramoz Vokrri për anulimin dhe shtyrjen e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së.

Federata ka thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe paligjshmëri në lidhje me Kuvendin që do të mbahet të mërkurën. Po ashtu, FFK-ja ka bërë të ditur se për të njëjtin Kuvend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtarë të lartë të UEFA-s, FIFA-s, MKRS-së dhe të KOK-ut.

“Ashtu siç kemi qenë të bindur që nga fillimi, FFK-ja është në një proces të rregullt dhe të ligjshëm dhe se FFK-ja nuk është lëkundur asnjëherë nga e drejta e saj për të organizuar Kuvendin e rregullt dhe zgjedhor më 6 prill. Këto aktvendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe konfirmimet nga UEFA dhe FIFA, e konfirmojnë angazhimin e FFK-së në rrugën e saj të drejtë dhe ligjore në organizimin e Kuvendit të FFK-së për 6 prill”, komenton Federata.

“FFK-ja ka respektuar në plotni normat statutare si me rastin e thirrjes së Kuvendit, e po ashtu edhe me datë 6 prill 2022. E njëjta do të organizojë Kuvendin e saj në konformitet të plotë me kërkesat e Statutit dhe Rregullores së Kuvendit të FFK-së, statutet e UEFA-s, FIFA-s, si dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë. Për të njëjtin Kuvend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtarë të lartë të UEFA-s, FIFA-s, MKRS-së dhe KOK-ut, si dhe sipas kërkesës së FFK-së të njëjtit do të bëjnë edhe monitorimin e këtij Kuvendi”, shkruan tutje nga FFK-ja.

Vokrri dhe disa të tjerë kundërshtuan vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për caktimin e 6 prillit si datë të zgjedhjeve. E cilësuan të jashtëligjshëm Kuvendin Zgjedhor të FFK-së. Edhe Departamenti Ligjor i MKRS-së ka dhënë opinion të tij ku thuhet se me thirrjen e Kuvendit më 6 prill, Federata ka shkelur Statutin dhe Ligjin për Sport.

Vokrrit nga FFK-ja i është mohuar kandidatura, me arsyetimin se nuk i ka nënshkrimet e mjaftueshme. Pas këtij vendimi ai iu drejtua gjykatës.