Sport

Van Gaal ka kancer në prostatë

Descriptive Text

Përzgjedhësi i Holandës, Louis van Gaal, ka zbuluar se ai po trajtohet për një formë agresive të kancerit të prostatës, por ende planifikon të udhëheqë ekipin në Kupën e Botës në Katar në muajin nëntor. Van Gaal i tha të dielën mbrëma emisionit holandez “Humberto” se lojtarët në ekip nuk dinin për diagnozën e tij edhe pse ai po merrte trajtim natën gjatë katër kampeve stërvitore që i pati me Holandën.

“Ju nuk ua tregoni diçka të tillë njerëzve me të cilët punoni, sepse mund të ndikojë në zgjedhjet e tyre, energjinë e tyre apo çfarëdo tjetër, dhe unë mendova se ata nuk duhet ta dinë”, tha ai.

Van Gaal tha se i është nënshtruar 25 trajtimeve të terapisë me rrezatim. “Unë kam qenë në spital në mbrëmje apo natën në çdo periudhë, pa e ditur lojtarët”, tha trajneri 70-vjeçar. Van Gaal humbi gruan e tij të parë nga kanceri.

“Është pjesë e jetës. Kam përjetuar kaq shumë sëmundje dhe vdekje, në familjen time, gruan time”, tha ai. "Unë ndoshta jam pasuruar si person nga të gjitha ato përvoja që kam pasur me të”.

Van Gaal është në periudhën e tij të tretë si trajner i Holandës. Ai udhëhoqi ekipin në gjysmëfinale të Kupës së Botës më 2014 në Brazil. Ai gjithashtu ka drejtuar klube, si Barcelona, Manchester Unitedi, Bayern Muencheni dhe Ajaxi.

Madje, Ajaxin e ka udhëhequr drejt triumfit në Ligën e Kampionëve në vitin 1995. Ai nuk mori pjesë në shortin e Kupës së Botës javën e kaluar në Katar pasi doli pozitiv për COVID-19. Holanda është në një grup me Katarin, Senegalin dhe Ekuadorin.

Përpara shortit, Van Gaal tha se ishte qesharake që turneu po luhej në Katar. Manchester Unitedi ka postuar mbështetje për Van Gaalin në “Twitter”. “Të gjithë në Manchester United janë plotësisht prapa ish-menaxherit tonë, Louis van Gaal, në betejën e tij kundër kancerit. Të dërgojmë forcë dhe kurajë, Louis”, ka shkruar klubi. UEFA gjithashtu dërgoi urimet më të mira përmes “Twitterit”, dhe faqja zyrtare e mbështetësve holandezë “Ons Oranje” postoi një zemër portokalli mbi një foto të Van Gaalit.