Sport

Yakini thotë se ndeshja me Kosovën do të jetë speciale për Shaqirin, Xhakën e Zeqirin

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin e ka vlerësuar speciale ndeshjen me Kosovën për futbollistët e tij që kanë prejardhje kosovare, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën e Andi Zeqirin. Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, Yakin ka thënë se pret profesionalizëm prej tyre, pavarësisht emocioneve që do t’i kenë. “Mendoj se ndeshja me Kosovën do të jetë speciale për Shaqirin, Xhakën e Zeqirin. Mirëpo, në momentin kur ndeshja fillon, ata do të jetë profesionistë të vërtetë dhe do të koncentrohen në detyrat e tyre. Në fakt, kjo edhe është ajo që ua kërkojë para çdo ndeshjeje”, është shprehur Yakin.

Trajneri zviceran ka thënë se do të ketë mungesa ndaj Kosovës, por gjithashtu në përbërjen e parë do t’i angazhojë disa lojtarë të ri për t’i parë nga afër edhe pse nuk i ka zbuluar emrat e tyre. “Ndeshjet miqësore janë për të testuar gjëra të reja. Akanji dhe Widmer nuk do të jenë në gjendje të luajnë, por do t’i shohim disa lojtarë të ri titullarë, të cilët do ta kenë rastin. Strategjia mbetet e njëjtë, duam rezultat të mirë”. Ndërkohë, zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Adrian Arnold ka thënë se kanë përzgjedhur Zuerichun për ta zhvilluar duelin ndaj Kosovës, për shkak se në atë regjion ka shumë kosovarë. “Ne kemi mundur të luajmë diku tjetër, por strategjia ishte të mbulojmë gjithë regjionin për këtë ndeshje në shtëpi. Tani, ishte radha e Zuerichut dhe përfundimisht është një zgjedhje e mirë, pasi në atë regjion ka shumë tifozë kosovar”, është shprehur Arnold.

Miqësorja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, do të zhvillohet të martën prej orës 18:00 në stadiumin “Letzigrund”.