Sport

Ish-tenistja numër një në botë braktis meçin: Shpresoj të luaj sërish

Ish-tenistja më e mirë në botë, Victoria Azarenka, së fundmi ka shqetësuar publikun me sjelljen e saj. Një prej sjelljeve të çuditshme e bëri edhe të dielën mbrëma, ku la papritur meçin, pa një shpjegim të fortë.

Azarenka braktisi meçin e xhiros së tretë të turneut Masters në Miami kundër Linda Fruhvirtovas.

16-vjeçarja e re çeke ishte në epërsi me 6:2 dhe 2:0 kur Azarenka iu drejtua trajnerit të saj dhe i bëri shenjë se nuk mund të vazhdojë më, por vazhdoi edhe për pak çaste.

Në momentin kur Fruhvirtova kaloi në epërsi me 3:0 në setin e dytë, Azarenka iu afrua gjyqtares dhe i tha se po e dorëzonte meçin.

Sipas protokollit, gjyqtarja thirri fizioterapeutin zyrtar për të konfirmuar se tenistja nuk mund të vazhdojë të luajë, por Azarenka nuk donte të priste, ndaj u përshëndet dhe shkoi në zhveshtore.

Shumë e dënuan veprimin e saj, por jo edhe kundërshtarja e saj në këtë meç, pasi siç tha ajo, bjellorusja është në gjendje të keqe mendore.

“Nuk kam dashur që meçi të përfundojë kështu, kam pasur nderin të luaj kundër Azarenkas. Në fund ajo më zgjati dorën dhe më përgëzoi, shpresoj të jetë mirë”, tha Fruhwirtova.

Azarenka, e cila qau në Masterin e mëparshëm Indian Wells dhe tha publikisht se lufta në Ukrainë e ka prekur jashtëzakonisht shumë, u mundua të shpjegoi veprimin e saj të fundit.

"Nuk duhej as të dilja në fushë sot. Javët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht stresuese për mua. Luajta për audiencën, por ishte gabim. Shpresoj të jem në gjendje të luaj përsëri tenis pas pushimit”, tha Azarenka, e cila u kërkoi falje tifozëve për lëvizjen e saj dhe i uroi fat të tenistes çeke, përcjell Euronews.