Sport

Max Verstappen e fiton garën në Arabinë Saudite

Max Verstappen e fitoi duelin e fortë dhe të gjatë me ngasësin Charles Leclerc dhe arriti të triumfojë për herën e parë në këtë sezon të Formula 1.

Këtë fitore Verstappen e shënoi të dielën në garën “Grand Prix” që u mbajt në Arabinë Saudite.

Ngasësi i skuderisë Red Bull, Verstappen e kaloi atë të Ferrarit, Leclerc, katër xhiro para fundit. Ishin këta dy ngasës që luftuan deri në fund për fitore.

Pas Verstappenit të Red Bullit dhe Leclercut të Ferrarit, vendin e tretë e zuri Carlos Sainz i Ferrarit. Sergio Perez i Red Bullit mbeti në vendin e katërt.

George Russell përfundoi i pesti për Mercedesin, para Esteban Oconit të skuderisë Alpine dhe Lando Norrisit të McLarenit.

Lewis Hamiltoni u përmirësua në pozitë. E nisi garën nga vendi i 15-të dhe përfundoi në vendin e 10-të.

Charles Leclerc dhe Carlos Sainz nga Ferrari zënë pozitat e para në renditjen e përgjithshme për ngasës, me 45 pikë përkatësisht 33. I treti është kampioni në fuqi i Formula 1, Max Verstappen, që ka 25 pikë.