Sport

Giresse flet për synimet pas debutimit të zhurmshëm me Kosovën

Descriptive Text

Francezi Alain Giresse ka bërë debutim të bujshëm si përzgjedhës i Kosovës. Kosova të enjten në “Fadil Vokrri” fitoi 5:0 ndaj Burkina Fasos, përfaqësueses që u paraqit në gjysmëfinale të edicionit të fundit të Kupës së Afrikës. Është kjo fitorja më e thellë e Kosovës si vendase.

Giresse të premten ka dhënë një intervistë për AFP-në, që është përcjellë nga media të shumta franceze. Ai është emër i njohur i futbollit në Francë.

“Po, është debutim i zhurmshëm. Është shpërblim për punën në stërvitje dhe natyrisht është gjithnjë më mirë kur fiton. Është më mirë për lojtarët, për stafin dhe për trajnerin. Kemi vendosur rekord në Prishtinë. Të fillosh mirë është e rëndësishme, por duhet të dimë të mos rrëmbehemi nga emocionet sepse jo gjithçka ishte perfekt. Të paktën ishim efikas”, ka thënë Giresse.

Ai tashmë e di që lojtarët e Kosovës kanë dëshirë ta kenë topin në pronësi. Por është e rëndësishme, sipas Giresses, që të ketë stabilitet në mbrojtje. Ai ka përmendur idenë që “më mirë është të kesh topin se ta rikuperosh atë”.

Giresse ka vendosur për ekip të kombinuar. Ka pushuar disa titullarë të pakontestuar si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi e Valon Berisha. Ai ka treguar se javën tjetër ndaj Zvicrës do të luajë ekip tjetër.

“Kam bërë të ditur se në këto dy ndeshje do të luajnë të gjithë. Do të aktivizoj ekip tjetër ndaj Zvicrës. Kështu unë do të shoh secilin lojtar, jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshje. Qëllimi i këtij grumbullimi është t’i testojmë të gjithë”, ka theksuar 69-vjeçari që drejtimin e Kosovës e mori kohë më parë.

Ai ka kontratë me FFK-në deri në vitin e ardhshëm, ndërsa ka lënë të kuptohet se synimet janë të mëdha.

“Objektivi ishte gjithnjë të kualifikohemi për Kupën e Botës. Gjithnjë, pavarësisht ku kam qenë. Kështu që ka dallim mes ambicies dhe realitetit. Por Kosova humbi vetëm për një gol nga Maqedonia e Veriut në plejof për kualifikim në “Euro 2020”. Dhe Maqedonia e mposhti Italinë”.

Giresse te Kosova ka marrë asistentin që e ka për kohë të gjatë, David Le Goff. Ka mbajtur francezin Sebastian Bichar dhe zviceranin Thomas Richard, që ishin në stafin e Bernard Challandesit. Giresse ka thënë se shtabi teknik është shumë profesional.

Giresses nuk i është dashur shumë kohë për të kuptuar se te Kosova ka dëshirë e entuziazëm.

“Kam vënë re këtë dëshirë, entuziazmin, dinamikën e vërtetë. Me historinë e vendit, ka jetë në këtë ekip”, ka theksuar Giresse.