Sport

Ademi: E dimë çfarë na pret në Portugali

Arijan Ademi ishte pjesë e Maqedonisë së Veriut që e eliminoi Italinë të enjten mbrëma pas fitores minimale.

Ademi luajti deri në minutën e 58-të dhe u zëvendësua në pamundësi ta vazhdonte ndeshjen, por nuk është raportuar për ndonjë lëndim.

Ai ka thënë se festa e tij me bashkëlojtarët nuk ka qenë shumë e madhe, për shkak se të gjithë se dinë se çfarë ndeshje i pret në finale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës.

“E mposhtëm Italinë por nuk e shoh një sensacion të madh. Është e qartë se si u shfaq në botën e futbollit, por duhet të jemi të qartë edhe se nuk ka më ekipe të dobëta. Për këtë arsye nuk dua që të shfaqet në këtë mënyrë triumfi jonë, si një befasi e jashtëzakonshme. Është kohë kur secili e mposht secilin dhe ne e treguam këtë. Nuk pati festë të madhe në Palermo. Natyrisht, ne ishim euforik në dhomat e zhveshjes, u kënaqëm, por kjo ishte e tëra. Na pret ndeshja me Portugalinë dhe e dimë se çfarë na pret në Porto dhe ne jemi të fokusuar maksimalisht. Italianët ishin të shokuar pas ndeshjes, por u treguan të matur. Tifozët në stadium na duartrokitën”, ka thënë Ademi.