Sport

Xhaka i gatshëm për dy miqësoret e Zvicrës

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ka folur në prag të dy ndeshjeve miqësore, me Anglinë dhe Kosovës. Duelin me Anglinë e ka quajtur special, ndërsa atë me Kosovën e ka vlerësuar si emocional.

Zvicra më 26 mars do të përballet në Londër me Anglinë, përpara se të luajë kundër Kosovës në Zuerich, tri ditë më vonë. “Natyrisht, ndeshja me Anglinë do të jetë speciale për mua. Jam tashmë gjashtë vjet te Arsenali dhe njoh shumë lojtarë të Anglisë. Anglia ka një ekip të fortë, por sigurisht se ne duam ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Xhaka, i cili është shprehur i lumtur me rikthimin e tij te Zvicra pasi i mungoi ne tetë ndeshjet e fundit.

E fitore, Xhaka kërkon edhe ndaj Kosovës, të cilës thotë se ia njeh të gjithë lojtarët. Po ashtu, kjo ndeshje do të jetë jubilare për Xhakën, pasi do ta regjistrojë paraqitjen e 100-të me Zvicrën. Ai te Zvicra debutoi në vitin 2011 dhe atë kundër Anglisë.

“Kjo bëhet shumë emocionuese. Jam tepër krenar që do të luaj ndeshjen e qindtë ndërkombëtare të Zvicrës. Dhe, pastaj është kundërshtari i përsosur për përvjetorin tim! E gjithë familja ime jeton në Kosovë. Duhet të jetë një ndeshje në udhëtim për ne në ‘Letzigrund’. Nëse do të kisha ftuar të gjithë ata që donin të vinin, do të më duhej të merrja me qira të gjithë stadiumin. Miqtë e mi më të ngushtë do të jenë me siguri atje. Do të kënaqem me lojën, në fakt i njoh të gjithë kundërshtarët. Sigurisht që do të jap gjithçka për të fituar edhe këtë ndeshje”, ka thënë Xhaka.